Publikohen pamjet e sulmit në një shkollë në Turqi ku mbetën të plagosur 11 persona

Bota

Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur një shkollë të mesme në provincën Manisa të Turqisë, ku një nxënës hapi zjarr para godinës së shkollës duke plagosur të njëmbëdhjetë persona, mes tyre edhe nxënës të tjerë. Dy nga të plagosurit raportohet se ndodhen në gjendje kritike, ndërsa pamjet e publikuara në internet tregojnë një të […]

Madhësia e shkronjave

Të shtëna me armë zjarri kanë tronditur një shkollë të mesme në provincën Manisa të Turqisë, ku një nxënës hapi zjarr para godinës së shkollës duke plagosur të njëmbëdhjetë persona, mes tyre edhe nxënës të tjerë.

Dy nga të plagosurit raportohet se ndodhen në gjendje kritike, ndërsa pamjet e publikuara në internet tregojnë një të ri duke lëvizur në një rrugë pranë shkollës me një pushkë në duar.

Në pamje, i riu fillimisht largohet nga zona e shkollës, duke kthyer kokën disa herë pas vetes. Më pas ai kthehet dhe vrapon drejt ndërtesës. Pak më vonë, në zonë shihen ambulanca dhe ekipe të emergjencës.

I dyshuari është kapur nga forcat e sigurisë, konfirmoi zyra e guvernatorit të Manisës, transmeton Telegrafi.

Sipas autoriteteve, alarmi për të shtënat pranë shkollës së mesme profesionale dhe teknike İnci Üzmez në distriktin Turgutlu u dha në orën 07:59 të mëngjesit.

Pas raportimit, në vendngjarje u dërguan një numër i madh forcash policore dhe ekipesh mjekësore. Autoritetet thanë se, sipas të dhënave fillestare, tetë persona u prekën nga incidenti dhe të plagosurit u transportuan në spitalet më të afërta.

I dyshuari, i cili besohet se ka përdorur armën, u arrestua dhe u mor në paraburgim. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur një hetim gjyqësor dhe administrativ për të zbardhur rrethanat dhe motivin e sulmit, i cili ende nuk dihet.

Ngjarja vjen vetëm disa muaj pas dy sulmeve vdekjeprurëse në shkolla në Turqi, të cilat shkaktuan tronditje të madhe në vend dhe çuan në masa të reja sigurie për vitin shkollor 2026-2027, përfshirë kontrolle më të rrepta për armët. /Telegrafi/