Mbledhja e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, nisi me debat.
Deputeti i PD-së, Ivi Kaso, kërkoi që rendi i ditës të ndërpritej për shkak të zhvillimeve të fundit lidhur me masën e arrestit, të dhënë për drejtuesen e SHISH, Vlora Hyseni.
Kaso e cilësoi situatën si një krizë të institucioneve dhe kërkoi mbikëqyrje parlamentare, ndërsa kryetari i komisionit, Fatmir Xhafaj, e kundërshtoi këtë interpretim, duke argumentuar se veprimet e institucioneve të drejtësisë janë pjesë e funksionimit të shtetit të së drejtës.

“Përpara se të nisim me rendin e ditës, desha të trajtoj një çështje me rëndësi për komisionin, parlamentet dhe institucionet e shtetit shqiptar. Kjo seancë e sotmja nuk mund të nisë në mënyrë të zakonshme, sepse ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme dhe nga më të rëndat në 36 vite demokraci. Sot është certifikuar përfundimisht rënia e shtetit shqiptar dhe këtë e them me shumë dhimbje, sepse të gjithë ne në periudha të ndryshme kemi investuar dhe punuar që shteti shqiptar të funksionojë dhe të afrohet drejt Evropës, ku duhet të jetë.
Sot ka ndodhur e padëgjuara, institucionet e shtetit kanë arrestuar njëri-tjetrin, arrestohet në zyrë, megjithëse në raportimet e fundit zonja është jashtë Shqipërisë. Kemi të bëjmë me rënie totale të shtetit. Opozita e ka denoncuar emërimin e kësaj zonje (Vlora Hyseni) që në krye të herës për vendosjen e saj të dyshimte me porosi të veçantë të Edi Ramës, që sot duhet të mbajë edhe përgjegjësi. Një person që ishte shkarkuar në Kosovë në institucione të njëjta, ishte e papërshtatshme për të drejtuar SHISH dhe Rama doli dhe dha garanci për të.
Kur opozita denonconte, Kryeministri qeshte dhe institucionet e sigurisë bënin sehir. Institucionet e sigurisë duhet të mbajnë përgjegjësi. Kalendari që kemi miratuar duhet të përmbyset krejtësisht dhe ju kryetar të organizoni seanca të përbashkëta dëgjimore sesi ky institucion është lënë tërësisht pa mbikëqyrje. Kur sekretet e shtetit bien në dorë të gabuar, e të njëjtit person, nuk kemi të bëjmë me një cedim të një organi, por total të institucioneve të shtetit”, ka thënë ai, raporton tch.
Lidhur me këtë ka reaguar deputeti Fatmir Xhafaj.
“Ju folët për institucione, por në fakt ço i tillë ka detyrën dhe përgjegjësinë e vet. Nëse institucionet penale kanë funksion të tyre ndjekjen penale, ne kemi detyrën tonë si ligjvënës dhe për kontroll parlamentar. Duke iu referuar fjalisë suaj që institucionet arrestojnë detyrën, institucionet arrestojnë, jo njerëzit. Institucionet bëjnë detyrën konform ligjit. Kjo është shenjë e pjekurisë së demokracisë, e funksionimit të institucioneve demokratike dhe tregues i pjekurisë së institucioneve. E kundërta do të ishte e vërtetë, ajo që kemi parë mbi 30 vite këtu në këtë vend.
Kjo që po ndodh, ndodh në çdo vend normal ku vepron shteti i së drejtën, e shohim edhe në SHBA. Fenomene të tilla janë normale për një shtet të së drejtës. Nëse kjo lidhet me komisionin tonë, ulemi dhe e bisedojmë si kryesi e komisionit”.





