23 persona janë paraqitur në strukturat shëndetësore me lëndime gjatë protestës së mbajtur më 24 tetor në Tiranë, njofton Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale e Shqipërisë.
Sipas përditësimit të ministrisë, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur 16 të lënduar, përfshirë 12 protestues, dy përfaqësues të medias dhe dy efektivë policie.
Njëri prej protestuesve ka pësuar lëndim në sy, për të cilin është kryer ndërhyrje kirurgjikale urgjente gjatë ditës së djeshme.
Sipas njoftimit, gjatë ditës së sotme do të mbahet një konsultë e zgjeruar me ekip të përbashkët profesionistësh nga Spitali Universitar i Traumës dhe Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për të përcaktuar vazhdimësinë e trajtimit.
Po hetohet plagosja e të riut me plumb gome – një efektiv i “Shqiponjave” i pezulluar
Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur pesë persona të lënduar: një deputet i Kuvendit, një protestues, dy efektivë policie dhe një përfaqësues i medias. Sipas ministrisë, të gjithë kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe janë larguar nga ambientet e spitalit.
Dy efektivë të tjerë të policisë janë paraqitur në Poliklinikën e Specialiteteve nr. 2 në Tiranë, ku kanë marrë trajtimin e nevojshëm dhe më pas janë larguar.
Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, në total, 23 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas protestës së 24 tetorit. /Telegrafi/