Pesë punonjës policie mbetën të plagosur gjatë protestës së zhvilluar më 24 tetor në Tiranë, ndërsa Policia e Shtetit ka nisur hetimet për incidentin ku një 28-vjeçar pësoi dëmtim në sy. Paralelisht, një efektiv i Forcës së Posaçme “Shqiponja” është pezulluar nga detyra pas publikimit të pamjeve ku dyshohet se ka tejkaluar kompetencat.
Në një reagim zyrtar, Policia e Shtetit bën me dije se protesta, e cila zgjati deri në orët e mbrëmjes dhe u shtri në disa zona të kryeqytetit, u shoqërua me akte dhune ndaj punonjësve të rendit.
Sipas policisë, efektivët u sulmuan me gurë, vida, sfera metalike, shkopinj, lëndë piroteknike, bomba Molotov dhe bombola gazi të lidhura me kapsolla.
“Si pasojë e sulmeve të personave të maskuar dhe të dhunshëm, 5 punonjës policie u plagosën”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Lidhur me rastin e 28-vjeçarit E. V., i cili pësoi dëmtim në sy gjatë protestës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.
Për të njëjtin incident, hetimet kanë nisur edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi nisjen e menjëhershme të veprimeve përkatëse […] për hetimin e plotë dhe të paanshëm të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në reagim.
Dita e 13-të, vazhdon edhe sot protesta në Tiranë nga ora 14:00
Policia ka shprehur keqardhjen për lëndimin e të riut, duke i uruar shërim të shpejtë, si edhe qytetarëve, gazetarëve dhe punonjësve të policisë të lënduar gjatë protestave në Tiranë.
Një tjetër rast që po hetohet lidhet me një punonjës policie, i cili shfaqet në pamje të publikuara në media duke vepruar në mënyrë që, sipas policisë, ngre dyshime për tejkalim të detyrës dhe mosrespektim të parimit të proporcionalitetit.
Për këtë arsye, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka pezulluar nga detyra inspektorin A. K., pjesë e Forcës së Posaçme “Shqiponja”. Ndaj tij ka nisur gjithashtu një hetim administrativ nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.
Në përfundim të reagimit, Policia e Shtetit thekson se mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve mbetet detyrim parësor, ndërsa çdo rast i dyshuar për tejkalim të kompetencave do të hetohet me paanshmëri.
“Respektimi i ligjit, proporcionaliteti në përdorimin e forcës dhe përgjegjësia individuale janë parime të panegociueshme në ushtrimin e detyrës policore”, thekson Policia e Shtetit.
Institucioni nënvizon se nuk do të tolerojë veprime që bien ndesh me ligjin, të drejtat e qytetarëve dhe standardet profesionale që duhet të udhëheqin punën e punonjësve të policisë. /Telegrafi/