Autobusë me qytetarë serbë nga komuna e Zubin Potokut janë nisur drejt Ribariqit, në komunën e Tutinit në Serbi, për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po mbahen sot në këtë shtet.
Udhëtimi i qytetarëve po bëhet në mënyrë të organizuar, ndërsa autobusi i parë nga Zubin Potoku tashmë është nisur drejt vendvotimeve në Ribariq.

Ndërkohë, në pikën kufitare të Bërnjakut është krijuar një kolonë e gjatë automjetesh, pasi qytetarë serbë nga Kosova po udhëtojnë drejt Serbisë për të marrë pjesë në procesin zgjedhor. Sipas mediave lokale në veri të Kosovës, kolona e automjeteve arrin në disa qindra metra.
Vendvotimet në Serbi janë hapur në orën 07:00 dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00.
Në këto zgjedhje, 18 lista zgjedhore garojnë për 250 ulëse në Kuvendin e Serbisë, me gjithsej 2 mijë e 418 kandidatë për deputetë.
Për qytetarët serbë nga Kosova që kanë të drejtë vote në Serbi janë caktuar 60 vendvotime në Vranjë, Rashkë, Kurshumli dhe Tutin.
Kosova nuk e lejon organizimin e vendvotimeve për zgjedhjet parlamentare të Serbisë në territorin e saj që nga viti 2023, ndaj qytetarët serbë që votojnë në këto zgjedhje duhet të udhëtojnë drejt Serbisë. /Telegrafi/