Parlamenti Evropian ka kërkuar nga Kosova që të përshpejtojë reformat që lidhen me integrimin evropian dhe të punojë në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Përmes një publikimi në rrjetin social “X”, Parlamenti Evropian ka bërë të ditur se Kosova ka nevojë për një legjislaturë dhe qeveri funksionale, në mënyrë që të avancojë reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe të mbështesë rrugën e saj drejt anëtarësimit.

“Kosova duhet të përshpejtojë reformat dhe të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë. Parlamenti bën thirrje për një legjislaturë dhe qeveri funksionale për të avancuar reformat e lidhura me BE-në dhe për të mbështetur rrugën e Kosovës drejt BE-së si një vend potencial kandidat”, ka shkruar Parlamenti Evropian.
Kjo deklaratë vjen në kuadër të qëndrimeve të Parlamentit Evropian për procesin e integrimit të Kosovës.
Kujtojmë se raporti për Kosovën i miratuar nga Parlamenti Evropian më 17 qershor 2026, eurodeputetët kishin rikonfirmuar mbështetjen për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në atë raport, të miratuar me 412 vota për, 174 kundër dhe 58 abstenime, Parlamenti Evropian shprehu shqetësim për pamundësinë e Kosovës për të pasur institucione funksionale për më shumë se një vit.
Raporti kërkon përshpejtimin e reformave në fusha si sundimi i ligjit, liritë themelore dhe lufta kundër korrupsionit, ndërsa thekson se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë dhe zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit mbeten të rëndësishme për rrugën evropiane të Kosovës. /Telegrafi/





