Britney Spears ka reaguar pas kritikave që mori pasi u filmua duke nxjerrë pjesën e sipërme të trupit nga çatia panoramike e një veture Mercedes në një autostradë në Los Angeles.
Këngëtarja publikoi një mesazh në Instagram, ku tha se publiku po gjykon vetëm “dy sekonda çmendurie”, ndërsa realiteti i jetës së saj është krejtësisht ndryshe.
“Asgjë nuk është ashtu siç duket”, shkroi ajo.

Fotografitë e publikuara në media e shfaqin Spears duke qëndruar me kokën dhe trupin jashtë automjetit, me krahët e shtrirë, teksa trafiku në autostradë ishte i ngadalësuar.
Sipas një burimi pranë këngëtares, ajo doli nga çatia panoramike vetëm për pak çaste për të parë trafikun, pasi automjetet ishin të ndaluara.
Burimi shtoi se Britney e bënte këtë edhe kur ishte fëmijë dhe se i pëlqen të ndiejë erën e ngrohtë të verës.
Ai theksoi gjithashtu se këngëtarja është në një periudhë të mirë të jetës, ndihet e lumtur dhe nuk kishte për qëllim të shkelte ligjin apo të rrezikonte askënd.
Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se projekti për filmin biografik të Britney Spears po vazhdon.
Skenari i parë do të shkruhet nga Liz Meriwether, kurse regjinë do ta realizojë Jon M. Chu, me producent Marc Platt.
Filmi pritet të sjellë në ekran historinë e jetës dhe karrierës së njërës prej yjeve më të njohura të muzikës pop. /Telegrafi/





