Gjermania po përballet me një valë të paprecedentë sulmesh hibride që synojnë destabilizimin e demokracisë dhe goditjen e mbështetjes për Ukrainën, shkruan revista DER SPIEGEL në numrin më të ri. Sipas shërbimeve sekrete, Berlini tashmë shihet nga Moska si „armiku numër një“ në Evropë, duke u bërë fushëbeteja kryesore e një lufte në hije ku agjentët e Vlladimir Putinit veprojnë me një guxim dhe pacirësi që nuk ishte parë që nga koha e Luftës së Ftohtë.
Zhvillimi më shqetësues i kohëve të fundit ka të bëjë me komunikimet konfidenciale të elitës politike gjermane. Përmes një skeme të sofistikuar të mashtrimit, të njohur si „Phishing“, hakerat rusë kanë arritur të depërtojnë në profilet e politikanëve gjermanë në aplikacionin Signal, i konsideruar deri më sot si më i sigurti. Mes viktimave janë kryetarja e Bundestagut (parlamentit), Julia Klöckner, dy ministre si dhe dhjetëra deputetë e gazetarë investigativë, njofton DER SPIEGEL.
Sulmi funksionoi kështu: pasi merrnin kontrollin e një llogarie, agjentët u dërgonin mesazhe kontakteve të radhës me pretekstin e një „procesi verifikimi“. Inteligjenca gjermane zbuloi se në janar 2026, më shumë se 13’700 numra telefoni ishin në shënjestër të programit malinj rus të koduar „ApocalypseZ“. Alarmi arriti kulmin kur u dyshua se përmes këtyre grupeve mund të ishin përgjuar bisedat e kancelarit Friedrich Merz, nënvizohet në raportin e DER SPIEGEL.
Pas dëbimit masiv të qindra diplomatëve rusë që shërbenin fshehurazi si spiunë, Moska ka ndryshuar strategji. Krahas agjentëve profesionistë të shërbimeve GRU dhe FSB, po përdoren gjithnjë e më shumë të ashtuquajturit „agjentë të nivelit të ulët“ ose „spiunë për përdorim të njëhershëm“. Këta janë individë të rekrutuar përmes Telegramit për shuma të vogla parash, shpesh amatorë, detyra e të cilëve varion nga grafite propagandistike deri te sabotazhet e rrezikshme.
Një shembull i tillë ishte incidenti në aeroportin e Leipzigut, ku mori flakë një pako e dërguar nga Lituania. Vetëm fati bëri që pakoja të mos ishte në bord të një avioni gjatë fluturimit, gjë që do të shkaktonte një tragjedi. Hetuesit besojnë se pakoja, e cila përmbante një pajisje ndezëse të fshehur në një jastëk masazhi, ishte pjesë e një operacioni sabotazhi të drejtuar nga inteligjenca ushtarake ruse, shkruan DER SPIEGEL.
Shtrirja e „Operacionit Germanija“ kalon kufijtë e botës digjitale. Shërbimet gjermane kanë parandaluar disa skenarë që mund të kishin përfunduar në vrasje politike. Në qendër të vëmendjes janë kompanitë që furnizojnë Ukrainën me dronë. Dy raste spektakulare përfshijnë një shtetas ukrainas dhe një rumune, të cilët u kapën duke filmuar dhe mbledhur informacione sekrete rreth adresave të pronarëve të këtyre fabrikave, duke ngritur dyshime për përgatitjen e atentateve.
Agjentët rusë po ndjekin hapur ushtarë apo ish-anëtarë të inteligjencës ukrainase që jetojnë në Gjermani. Në qytetet Frankfurt dhe Hagen janë arrestuar persona që vëzhgonin ish-zyrtarë të lartë ukrainas, me qëllimin e qartë për t’i eliminuar. Edhe infrastruktura kritike është nën vëzhgim: në qytetin Minden u zbulua një kamerë e sofistikuar e fshehur në stacionin e trenit – një pikë kyçe për dërgimin e armatimeve drejt Lindjes.
Kjo situatë ka detyruar Berlinin të rishikojë tërësisht kompetencat e shërbimeve të tij sekrete. Për dekada, Gjermania kishte një qëndrim mjaft pasiv, por tani shërbimi i brendshëm sekret po shndërrohet në një „shërbim aktiv mbrojtës“. Plani i ri parashikon përdorimin e inteligjencës artificiale, teknologjisë për njohjen e fytyrës dhe „hyrjen e fshehtë“ në pajisjet digjitale të personave të dyshuar.
Ndryshimi më radikal pritet te Shërbimi Informativ i Jashtëm (BND). Nën drejtimin e ri, BND pritet të marrë kompetenca operative për të kryer sulme kibernetike apo edhe sabotazhe në territore jashtë Gjermanisë kundër fabrikave të dronëve rusë. Mesazhi i Berlinit, sipas DER SPIEGEL, është i qartë: në një botë ku Putini ka shpallur luftë hibride kundër Evropës, Gjermania nuk mund të mbetet më vetëm vëzhguese, por duhet të jetë e aftë t’i shkaktojë agresorit dhimbje të ngjashme. /Telegrafi/






