Policia e Kosovës ka kryer sot bastisje në gjashtë lokacione në Zubin Potok, ku ka sekuestruar armatim të llojeve të ndryshme.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një postim në Facebook.

Sveçla shtoi se provat e siguruara gjatë këtij operacioni dëshmojnë përpjekje të vazhdueshme për veprimtari të kundërligjshme me potencial për të cenuar sigurinë dhe stabilitetin në vend
“Pas bastisjeve të zhvilluara në gjashtë lokacione në Zubin Potok, Policia e Kosovës ka sekuestruar sot armatim të llojeve të ndryshme, radiolidhje, granatë dore, uniforma ushtarake si dhe 213 copë municion”, ka shkruar Sveçla.
Ministri ka shtuar se rendi, ligji dhe siguria në Kosovë mbeten prioritet institucional.
“Institucionet shtetërore të sigurisë do të reagojnë me vendosmëri të plotë ndaj çdo individi apo grupi që përmes veprimeve kriminale paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve dhe vendit tonë. Çdo veprim që rrezikon këto parime do të trajtohet me seriozitet maksimal dhe pa asnjë kompromis”, ka deklaruar Sveçla. /Telegrafi/





