Fëmija 5-vjeçar nga Lipjani, rasti i të cilit ka nxitur reagime të shumta në opinion publik, është liruar nga trajtimi në QKUK.
Lajmi është konfirmuar për Telegrafin nga zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla, e cila bëri të ditur se gjendja shëndetësore e fëmijës është stabile.
“Në përgjigje të pyetjeve të parashtruara, bazuar në të dhënat zyrtare nga Klinika e Pediatrisë, ju njoftojmë se gjendja shëndetësore e fëmijës është stabile. Fëmija është liruar nga Klinika e Pediatrisë gjatë ditës së djeshme”, thuhet në përgjigjen e saj.

Së fundmi Ministri për Punë dhe Familje, Andin Hoti, ka pranuar raportin final për trajtimin e rastit të familjes së pesëvjeçarit nga Janjeva e Lipjanit nga ana e Qendrës për Punë Sociale.
Hoti e konfirmoi se në gjetjet e këtij raporti, konstatohet se në këtë rast është fajtore QPS-ja, por edhe institucione të tjera, andaj paralajmëroi masa ndëshkuese për të gjithë që janë evidentuar për mostrajtim të duhur të rastit.
Rasti i 5-vjeçarit nga Lipjani ka qenë në qendër të vëmendjes pas raportimeve për keqtrajtimit nga prindërit.
Për shkak të kësaj ai mori trajtim mjekësor në Kujdesin Intensiv Pediatrik.
Për dy prindërit e tij, me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës ishte caktuar masa e paraburgimit.
Ndërkaq, gjashtë fëmijët të kësaj familje janë marrë nën përkujdesje nga Qendra për Punë Sociale të Lipjanit. /Telegrafi/





