Donald Trump është kthyer nga Kina, ndërsa tani përballet me vendime të rëndësishme lidhur me Iranin.
Sipas New York Times, bashkëpunëtorët e tij më të afërt kanë përgatitur tashmë plane për rikthimin e sulmeve ushtarake, në rast se presidenti amerikan vendos ta thyejë ngërçin aktual me një valë të re bombardimesh.
Megjithatë, Trump ende nuk ka marrë një vendim për hapat e ardhshëm, thonë këshilltarët e tij. Ndërkohë, zyrtarë nga vendet e përfshira po përpiqen të arrijnë një kompromis që do ta bindte Iranin të rihapte Ngushticën e Hormuzit. Një zhvillim i tillë do t’i jepte mundësi Trumpit të shpallte fitore politike dhe të bindte opinionin skeptik amerikan se operacioni i kushtueshëm dhe vdekjeprurës kundër Iranit ka dhënë rezultat.
Por, Trump, duke folur me gazetarët në avionin Air Force One menjëherë pas largimit nga Pekini të premten, e hodhi poshtë kategorikisht propozimin më të fundit iranian për paqe.
“E lexova dhe, nëse nuk më pëlqen fjalia e parë, e hedh menjëherë në kosh”, deklaroi 79-vjeçari.
Trump bëri të ditur se për çështjen iraniane ka biseduar edhe me presidentin kinez Xi Jinping, vendi i të cilit është partner strategjik i Teheranit dhe varet në masë të madhe nga nafta dhe gazi që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, ai theksoi se nuk i ka kërkuar Xi-t të ushtrojë presion mbi Iranin, ndërsa detajet e plota të bisedimeve mes dy liderëve ende nuk janë bërë publike.
Trump ndodhet mes dy kampeve krejtësisht të kundërta sa i përket këtij konflikti. Edhe pse lufta është kthyer në një barrë të madhe politike për të dhe shpesh lë përshtypjen se dëshiron ta mbyllë sa më shpejt këtë çështje, ai ende nuk e ka arritur objektivin që e ka përmendur vazhdimisht si synimin kryesor të luftës: parandalimin e përhershëm të Iranit për të zhvilluar armë bërthamore.
Për këtë arsye, Pentagoni tashmë po përgatitet aktivisht për mundësinë e rinisjes së operacionit “Epic Fury” (“Zemërimi Epik”), i cili u pezullua përkohësisht pasi presidenti shpalli armëpushim muajin e kaluar. Operacioni mund të rifillojë në ditët e ardhshme, madje edhe nën një emër tjetër.
Pentagoni përgatit përshkallëzimin e konfliktit
“Kemi gati një plan për përshkallëzim nëse kjo bëhet e nevojshme”, deklaroi Sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth gjatë dëshmisë së tij këtë javë në Kongres.
Hegseth shtoi se ekzistojnë edhe plane për tërheqje dhe kthim të trupave në bazat e tyre, çka do të nënkuptonte rikthimin e më shumë se 50 mijë ushtarëve amerikanë të dërguar në Lindjen e Mesme në dislokimet e zakonshme.
Dy zyrtarë nga Lindja e Mesme, të cilët folën në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së informacioneve operative, zbuluan se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po kryejnë përgatitje intensive për një valë të re sulmesh ndaj Iranit që mund të nisë që javën e ardhshme. Sipas tyre, këto janë përgatitjet më të mëdha që nga hyrja në fuqi e armëpushimit.
“Ose do të arrijnë marrëveshje, ose do të zhduken nga faqja e dheut”, deklaroi Trump të martën, pak para nisjes për në Kinë dhe shtoi se “pra, sido që ta kthesh, ne fitojmë”.
Nëse Trump vendos vërtet të rifillojë sulmet ushtarake, njëra nga opsionet përfshin bombardime edhe më agresive ndaj objektivave ushtarake dhe infrastrukturës iraniane, thanë zyrtarë amerikanë.
Opsioni tjetër parashikon dërgimin e forcave speciale në terren, me synimin për të marrë materialin bërthamor që ndodhet i fshehur thellë nën tokë. Sipas zyrtarëve, disa qindra pjesëtarë të njësive speciale kanë mbërritur në Lindjen e Mesme që në muajin mars, pikërisht për t’i dhënë Trumpit mundësinë e një operacioni të tillë.
Të mbështetura nga forcat tokësore në terren, këto njësi elitare mund të ndërmarrin një mision të fokusuar te uraniumi i pasuruar në nivel të lartë në objektin bërthamor të Isfahanit.
Megjithatë, një operacion i tillë do të kërkonte edhe mijëra ushtarë mbështetës për sigurimin e zonës, gjë që mund t’i përfshinte lehtësisht trupat amerikane në një përplasje të drejtpërdrejtë me ushtrinë iraniane.
Plan për shkatërrimin sistematik të Iranit
Trump prej ditësh ka paralajmëruar se do të urdhërojë ushtrinë amerikane të shkatërrojë sistematikisht çdo urë dhe çdo central elektrik në Iran, nëse qeveria iraniane nuk e rihap Ngushticën e Hormuzit për cisternat e naftës.
Zyrtarë ushtarakë amerikanë kanë deklaruar se objektivat e përzgjedhura lidhen drejtpërdrejt me operacionet e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Megjithatë, e drejta ndërkombëtare e luftës ndalon rreptësisht shkatërrimin e qëllimshëm të infrastrukturës civile me synim detyrimin e një qeverie të dorëzohet ose të bëjë lëshime.
Që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, zyrtarët më të lartë të Pentagonit dhe komandantët ushtarakë kanë theksuar se SHBA-ja e ka shfrytëzuar pauzën njëmujore të bombardimeve për të furnizuar sërish me armë anijet luftarake dhe avionët sulmues të dislokuar në rajon.
Gjenerali Dan Caine, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, deklaroi këtë javë para një nënkomisioni të Senatit për mbrojtjen se zyrtarët ushtarakë “vazhdojnë të mbajnë gati një gamë të gjerë opsionesh për udhëheqjen politike”. Megjithatë, ai refuzoi të tregojë se çfarë lloj operacioni ushtarak mund të urdhërojë Trump.
Një sfidë e madhe për ushtrinë amerikane
Në një konferencë në Pentagon më 5 maj, gjenerali Caine theksoi se më shumë se 50 mijë ushtarë, dy aeroplanmbajtëse, mbi një duzinë destrojerësh të marinës amerikane dhe dhjetëra avionë luftarakë “mbeten në gatishmëri për rifillimin e operacioneve të mëdha luftarake kundër Iranit nëse marrin urdhër”.
Ai shtoi se asnjë kundërshtar nuk duhet ta ngatërrojë përmbajtjen aktuale të SHBA-së me mungesë vendosmërie.
Megjithatë, zyrtarët ushtarakë amerikanë pranojnë në biseda private se fitorja ndaj Iranit mund të jetë shumë më e vështirë sesa duket.
Sipas tyre, ushtria amerikane ka arritur të godasë me sukses objektiva të rëndësishme, përfshirë pozicionet iraniane të raketave balistike, depot e municionit të Gardës Revolucionare dhe pika të tjera kyçe të infrastrukturës ushtarake.
Por, sipas të dhënave të agjencive amerikane të inteligjencës, Irani ndërkohë ka rikthyer kontrollin mbi shumicën e pozicioneve raketore, lëshuesve dhe objekteve të tij nëntokësore. /Telegrafi/






