Sa herë që Aleksandar Vuçiqi ndodhet në vështirësi të brendshme politike (për shkak të keqqeverisjes, krimit dhe korrupsionit, për çka e akuzon opozita dhe lëvizja studentore), në Evropë ka politikanë që nxitojnë t’i vijnë në ndihmë. A ishte pjesë e kësaj ndihme edhe një drekë në Sombor të Vojvodinës, ku morën pjesë edhe dy ish-politikanë të njohur austriakë – ish-kancelari Sebastian Kurz dhe ish-komisioneri i BE-së për zgjerim Johannes Hahn?
Para se të varrosej krimineli i luftës Ratko Mlladiq, në Serbi qëndruan dy politikanë austriakë: Johannes Hahn, kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Bankës Kombëtare të Austrisë, dhe ish-kancelari Sebastian Kurz, i dorëhequr pas akuzave për korrupsion.
Të dy e takuan autokratin serb Aleksandar Vuçiq në një drekë të Sombor, një qytet në Vojvodinë, i njohur për specat e famshëm e të quajtur somborka, të cilët prej dekadash lënë gjurmë në pothuaj çdo kuzhinë ballkanike dhe me shtrirje gjithnjë e më të madhe edhe në Evropë. Vështirë të mendohet se politikanët austriakë shkuan në Sombor për të blerë speca somborka për turshi.
Vetë Vuçiqi publikoi një fotografi me «miqtë nga Austria dhe Gjermania» (kishte edhe biznesmenë gjermanë në takim). Momenti i vizitës së politikanëve austriakë është interesant: ata shkuan në Serbi para se të varrosej Mlladiqi (me nderime shtetërore dhe ushtarake) dhe para se të shpalleshin zgjedhjet parlamentare të parakohshme.

Ndonëse Hahn tha se bëhej fjalë për vizitë «private», Partia e Gjelbër në Austri ka kërkuar shpjegime për këtë vizitë me gostitje në Serbi.
Nuk duhet harruar: Hahn ka qenë edhe komisioner i BE-së për zgjerim. Në takimin e zhvilluar në Sombor të Vojvodinës ishte i pranishëm edhe Siegfried Wolf, ish-menaxher i kompanisë Magna, i cili është një lloj oligarku austriak, «me lidhje të shkëlqyera në Moskë», siç njofton revista «profil» e Vjenës.
Banka Kombëtare e Austrisë njoftoi se bëhej fjalë për vizitë private, «që nuk ka absolutisht asnjë lidhje me funksionin e tij si kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Bankës Kombëtare të Austrisë». Revista «profil» pyet me ironi nëse koha e takimit – pak para zgjedhjeve dhe pikërisht kur Vuçiqi po përpiqet të bëhet sërish në kryeministër – ishte thjesht rastësi. Trumcakët mund të besojnë se ishte rastësi.
Shumë politikanë austriakë nuk ngurrojnë t’u shërbejnë figurave të dyshimta politike nëpër botë. Karin Kneissl, ish-ministre e Jashtme (2017-2019), vallëzoi me Vlladimir Putinin në dasmën e saj më 2018, më vonë u bë anëtare e bordit të gjigandit rus Rosneft, dhe në vitin 2023 u shpërngul përfundimisht në Shën Petersburg, ku sot drejton një think-tank gjeopolitik pranë universitetit vendas.
Alfred Gusenbauer, ish-kancelar social-demokrat (SPÖ, 2007-2008), ishte i lidhur me DOC Research Institute, themeluar nga Vlladimir Jakunin, ish-shefi i Hekurudhave Ruse dhe besnik i afërt i Putinit. Gusenbauer u përfshi gjithashtu në lobim të paguar për regjimin pro-rus të ish-presidentit ukrainas Viktor Janukoviq. (Gusenbauer e ka demantuar këtë, kush dëshiron mund t’i besojë).
Wolfgang Schüssel, ish-kancelar i konservatorëve (ÖVP), hyri në bordin e kompanisë ruse Lukoil, dhe më parë kishte lidhje edhe me kompaninë ruse të telekomunikacionit MTS.
Christian Kern, ish-kancelar socialdemokrat dhe ish-drejtor i Hekurudhave Austriake, u bë anëtar i bordit mbikëqyrës të Hekurudhave Shtetërore Ruse (RZD).
Tre ish-kryeministra të Austrisë kanë mbajtur poste fitimprurëse në organizata të afërta me Kremlinin – kjo është e paprecedent në Europë. Dhe nuk mbaron me kaq.
Hans Jörg Schelling, ish-ministër i Financave (ÖVP), pas largimit nga qeveria u bë këshilltar i kompanisë gjigande ruse të gazit Gazprom, në lidhje me gazsjellësin Nord Stream 2.
Në vitin 2016 krerët e partisë së djathtë FPÖ shkuan në Moskë për të nënshkruar një marrëveshje miqësie me partinë e Vlladimir Putinit, pastaj postuan në rrjete sociale fotografi nga Sheshi i Kuq i Moskës. Kjo parti mban lidhje të ngushta edhe me politikanë nacionalistë në Serbi dhe në pjesën e Bosnjës të kontrolluar nga serbët.
Pasi Putini pushtoi Krimenë ukrainase më 2014, Austria ishte vendi i parë në Europë që agresorit rus ia shtroi qilimin e kuq. Atëbotë kancelar ishte një socialdemokrat. Katër vite më vonë, më 2018, Putini prapë u mirëprit në Vjenë, kësaj radhe kancelar ishte një politikan konservator. Putini vazhdonte të ishte agresor, luftën e kishte zgjeruar edhe në pjesën lindore të Ukrainës.
Afërsia e politikanëve austriakë me Putinin ka traditë.Në fillim të mandatit si president i Rusisë ai u fotografua duke zbritur në pistën e skive në qendrën dimërore të sporteve, St. Anton. Pranë tij rrëshqiste kancelari i atëhershëm Wolfgang Schüssel.
Në vitin 2019 shefi i shërbimit sekret austriak u ankua se Austria nuk po trajtohej si partner i barabartë në të ashtuquajturin Klub i Bernës, i cili përbëhet nga drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës të 28 vendeve të BE-së, si edhe të Norvegjisë dhe Zvicrës. Europianët e tjerë nuk donin të ndanin informata me austriakët për shkak të afërsisë së politikanëve të Vjenës me Rusinë.
Në vitin 2026 disa politikanë austriakë mbase nuk marrin guximin të shkojnë në Moskë për shkak të reagimeve të BE-së, por në Sombor të Serbisë ngarendin pa problem. /Telegrafi/




