“Nuk mund të ktheheshin në shtëpi për shkak të luftës” – Shala tregon si u ushqyen katër mijë studentë në Prishtinë

Nacionale

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë”, Zef Shala, ka rrëfyer se si ishte organizuar ushqimi për mijëra studentë që kishin mbetur në Prishtinë dhe nuk mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre për shkak të përkeqësimit të situatës në Kosovë. Kjo sipas tij kishte ndodhur në kohën e protestave studentore në vitin 1997 […]

Madhësia e shkronjave

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nëna Terezë”, Zef Shala, ka rrëfyer se si ishte organizuar ushqimi për mijëra studentë që kishin mbetur në Prishtinë dhe nuk mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre për shkak të përkeqësimit të situatës në Kosovë.

Kjo sipas tij kishte ndodhur në kohën e protestave studentore në vitin 1997 dhe në fillim të luftës.

Sipas tij, studentët kishin mbetur në Prishtinë për shkak se kthimi në vendbanimet e tyre ishte bërë i vështirë dhe i rrezikshëm.

Në një intervistë në “Përballje Podcast” në Telergafi, Shala tha se Shoqata “Nëna Terezë” kishte kontraktuar 13 gjelltore private në Prishtinë, në të cilat studentëve u ofrohej çdo ditë nga një shujtë e ngrohtë.

“Katër mijë studentë janë ushqyer përmes rrjetit të gjelltoreve të Prishtinës. Ishin 13 gjelltore që ne i kishim kontraktuar për t’u siguruar studentëve shujta të ngrohta.. Ishin studentë që ndodheshin në Prishtinë dhe, për shkak të pamundësisë për të shkuar në shtëpitë e tyre, është dashur të kujdeseshim për ta”, tha ai.

Shala bëri të ditur se studentët nuk ushqeheshin në kuzhina të improvizuara, por shkonin në gjelltoret ekzistuese, me të cilat shoqata kishte arritur marrëveshje.

Ai theksoi se financimi i këtij aksioni humanitar ishte siguruar nga Caritasi i Vjenës, në bashkëpunim me rrjetin e organizatave të Caritas-it në Evropë.

“Çdo ditë e merrnin nga një shujtë. Shkonin në gjelltoret ekzistuese dhe ushqeheshin aty. Ishin gjelltore private, me të cilat kishim bërë marrëveshje…Donator ishte Caritasi i Vjenës, së bashku me rrjetin e Caritaseve evropiane”, u shpreh ai shkruan Telegrafi.

Sipas Shalës, kjo ndihmë u ofrua në një periudhë kur kriza po thellohej dhe një numër i madh studentësh, veçanërisht nga zonat e prekura, nuk kishin mundësi të ktheheshin pranë familjeve të tyre.

Organizimi i shujtave për katër mijë studentë përmes 13 gjelltoreve ishte një nga aksionet që dëshmon për shtrirjen e veprimtarisë së Shoqatës “Nëna Terezë”, e cila, krahas ndihmës ushqimore për familjet, kishte krijuar edhe forma të veçanta mbështetjeje për të rinjtë, pacientët dhe qytetarët e zhvendosur./Telegrafi/.