Sulmuesi i Francës dhe Bayernit, Michael Olise, nuk ka bërë bujë vetëm me paraqitjet e tij në Kupën e Botës 2026, por edhe me mënyrën krejt të pazakontë se si ka përdorur rrjetet sociale.
24-vjeçari, i cili numëron 23 paraqitje dhe shtatë gola me kombëtaren franceze, fshiu të gjitha postimet e mëparshme në Instagram dhe e mbushi profilin e tij me fotografi artistike, të paqarta dhe të pikselizuara, duke habitur miliona ndjekës.
Në kulmin e Botërorit, profili i tij kishte rreth 9.6 milionë ndjekës dhe fotot misterioze u bënë shpejt virale, duke nxitur mijëra teori në rrjet.
Shumë përdorues besuan se autorja e tyre ishte fotografja franceze e sportit, Florence Pernet. Ajo nuk mori akreditim për Kupën e Botës në SHBA dhe nisi një projekt personal, duke fotografuar ndeshjet nga ekrani i televizorit. Stili i saj artistik ishte aq i ngjashëm me fotot e Olise, sa publiku e lidhi menjëherë me këtë projekt.
Mbi 100 mijë komente u publikuan duke u përpjekur të zbulonin të vërtetën, ndërsa në rrjetet sociale u përhapën teori se bëhej fjalë për një protestë të heshtur ndaj FIFA-s.
Megjithatë, vetë Florence Pernet vendosi t’i japë fund spekulimeve pak para gjysmëfinales mes Francës dhe Spanjës.
“Nuk thashë kurrë që nuk kisha vizë. Thjesht thashë që nuk mora akreditim. Dhe unë nuk jam fotografja e Olise”, sqaroi ajo në rrjetet sociale.
Pas deklaratës së saj u zbulua edhe autori i vërtetë i fotografive. Bëhet fjalë për fotografin gjerman Lukas Korschan, i cili njihet për stilin e tij artistik dhe për fotografimin e shumë yjeve të sportit.
Korschan dhe Pernet kanë zhvilluar projekte të ndryshme, por me një estetikë pothuajse identike. Pikërisht kjo ngjashmëri krijoi konfuzionin që mbajti në ankth miliona tifozë gjatë ditëve të fundit, derisa misteri u zgjidh përfundimisht. /Telegrafi/






