Një legjendë shqiptare mes 50 filmave më të mirë në një garë botërore me afro 7 mijë pjesëmarrës – historia e “BESA”, filmit të realizuar me AI

Magazina

Një nga legjendat më të njohura të traditës shqiptare ka marrë formë krejtësisht të re përmes teknologjisë së inteligjencës artificiale. “BESA”, filmi i realizuar nga ekipi OLL KORRECT, i frymëzuar nga rrëfimi i Kostandinit dhe Doruntinës, ka arritur të futet në Top 50 të “Higgsfield Global Film Festival”, një prej garave ndërkombëtare që eksplorojnë potencialin […]

Madhësia e shkronjave

Një nga legjendat më të njohura të traditës shqiptare ka marrë formë krejtësisht të re përmes teknologjisë së inteligjencës artificiale.

“BESA”, filmi i realizuar nga ekipi OLL KORRECT, i frymëzuar nga rrëfimi i Kostandinit dhe Doruntinës, ka arritur të futet në Top 50 të “Higgsfield Global Film Festival”, një prej garave ndërkombëtare që eksplorojnë potencialin e kinemasë së krijuar me inteligjencë artificiale.

Nga mijëra projekte të dorëzuara në këtë kompeticion, “BESA” ka kaluar në fazën vendimtare të vlerësimit nga juria ndërkombëtare.

Filmi garon në një festival me një fond total çmimesh prej 1 milion dollarësh, ku çmimi i parë është 500 mijë dollarë.

Për ekipin shqiptar, megjithatë, rëndësia e këtij rrugëtimi nuk lidhet vetëm me garën dhe çmimet, por edhe me mundësinë për ta prezantuar një histori shqiptare përballë një audience ndërkombëtare.

Në një intervistë për Telegrafin, krijuesit e filmit, Elena Kelmendi dhe Lirim Berisha, kanë rrëfyer se si lindi ideja për të sjellë pikërisht historinë e Kostandinit dhe Doruntinës në një festival të tillë, pse zgjodhën të përfaqësohen përmes një historie shqiptare dhe sa e vështirë ishte të ndërtohej një film i tërë me ndihmën e inteligjencës artificiale.

“Nuk donim të përfaqësonim vetëm veten, por një histori shqiptare”, nis Elena.

Për Kelmendin, zgjedhja e historisë së Kostandinit dhe Doruntinës nuk ishte një vendim i rastësishëm.

Sipas saj, ekipi e ka menduar gjatë se çfarë duhej të sillte në një festival ndërkombëtar të këtij niveli dhe nëse do të mjaftohej me një ide që do t’i përfaqësonte vetëm ata si krijues, apo do të përpiqej të prezantonte diçka që lidhet drejtpërdrejt me identitetin shqiptar.

“Për Kostandinin dhe Doruntinën nuk ka qenë vetëm një ide e zakonshme. E kemi menduar shumë gjatë se me çfarë duhet të marrim pjesë në një festival të tillë. A duam të përfaqësojmë vetëm veten tonë apo, në një festival ku nuk kisha besuar që do të merrnin pjesë shqiptarët, të ecim me diçka shqiptare”, ka thënë Kelmendi për Telegrafin.

Nuk kanë dashur ta riprodhojnë thjesht historinë ashtu siç njihet, por kanë synuar të sjellin perspektivën e tyre.

“Kemi dashur të japim një perspektivë tonën për Kostandinin dhe Doruntinën, jo siç është e shpjeguar në libër. Kemi vendosur, bashkë me Lirimin, ta bëjmë këtë histori për disa arsye”, ka treguar ajo.

Një prej arsyeve kryesore, sipas Kelmendit, ka qenë edhe sfida artistike që paraqet një histori e tillë për inteligjencën artificiale.

Ekipi ka dashur të shmangë elementet e zakonshme që mund të përdoren për ta bërë një projekt vizualisht spektakolar, si luftërat apo skenat e ekzagjeruara, dhe në vend të tyre të fokusohet te emocionet, veshjet tradicionale dhe autenticiteti.

“Është sfidë shumë e madhe me AI që të bësh diçka me veshje tradicionale, pa lufta, pa ekzagjerime, por të japësh emocion. Kjo është pika më e dobët e AI-së. Nuk është e lehtë me AI të paraqesësh diçka emocionale. Për këtë kemi pasur shumë qejf të shkojmë me tokë, me diçka autentike shqiptare. Mund të fusnim luftë, gjithçka tjetër, por esenca ka qenë të sjellim diçka autentike shqiptare, që të japë emocion dhe të shkojmë të përfaqësohemi si një vend, e jo si individë”, është shprehur tutje ajo.

Edhe për Lirim Berishën, zgjedhja për ta ndërtuar filmin mbi një histori shqiptare ka qenë e lidhur drejtpërdrejt me identitetin dhe vlerat që ekipi dëshiron t’i përcjellë përmes projektit.

“Ne vetë jemi shqiptarë dhe kemi dashur, tek e fundit, që në sytë e botës të paraqesim një histori shqiptare, edhe një histori që i paraqet vlerat, vlerat e vendit tonë”, ka deklaruar Berisha.

Sipas tij, “BESA” nuk është thjesht një projekt i realizuar për të testuar mundësitë e inteligjencës artificiale, por një mënyrë për ta përdorur këtë teknologji të re për të treguar një histori që lidhet me kulturën shqiptare.

AI (Inteligjenca Artificiale) ka qenë vetëm mjeti

Pas pamjeve që shihen në ekran qëndron një proces shumë më i ndërlikuar se sa një kërkesë e thjeshtë për inteligjencën artificiale.

Elena tregon po ashtu se çdo element i filmit është menduar me detaje nga ekipi, nga veshjet dhe lokacionet, deri te drita dhe karakteret.

“Për të bërë një film të nivelit të tillë dhe të vlerësohesh prej një kompeticioni siç jemi vlerësuar ne, fatmirësisht, nuk është punë hiç e lehtë. Gjithçka duhet të mendohet në detaje: veshjet, lokacionet, drita, karakteret, gjithçka që ka brenda është e menduar jo nga AI, por prej nesh”, ka shpjeguar në vazhdim.

Kelmendi tregon se ekipi kishte dëshirë që filmi të ishte tërësisht në shqip, por rregullat e kompeticionit kërkonin që materiali të krijohej brenda ekosistemit të inteligjencës artificiale, pa përdorur elemente të gatshme.

“AI nuk ka, fatmirësisht ose fatkeqësisht, kapacitet që të mendojë shqip. Ne jemi dashur të mendojmë dhe për këtë ka qenë më sfiduese. Kemi dashur që gjithë filmin ta bëjmë në shqip, por AI nuk na e ka mundësuar këtë. Një prej kritereve kryesore të kompeticionit ka qenë që gjithçka të jetë AI. Asnjë audio, asnjë zë, asnjë karakter apo asgjë tjetër nuk ka mundur të merret e gatshme. Për këtë arsye është dashur ta bëjmë në gjuhën angleze, me titra shqip”, ka treguar Kelmendi.

Krijimi i një filmi përmes AI mund të duket më i thjeshtë nga jashtë, pasi nuk kërkon një ekip të madh në lokacione, por për krijuesit e “BESA”-s procesi ka qenë po aq kërkues, vetëm në një formë tjetër.

“Për dallim prej filmit normal tradicional, edhe mënyra se si zhvillohet një film tradicional ka të mirat dhe të këqijat. Ti je mbrapa një kompjuteri, ulesh pas një kompjuteri, ky është plusi. Nuk del në lokacione, nuk merresh me 20-30 veta ose edhe më shumë, sepse në filma mund të ketë edhe më shumë”, ka thënë Kelmendi.

Por ky avantazh, sipas saj, shoqërohet me një tjetër sfidë: kohën dhe vëmendjen që duhet t’i kushtohet çdo detaji.

“Këtu e kemi një plus që rrimë ulur, por 24 orë mendon për çdo detaj. Nuk është një prompt, ose diçka e shkruar aq thjeshtë për të dhënë një vizualizim për një skenë specifike. Nuk është e lehtë hiç. Ndoshta është më e lehtë të dalësh të xhirosh kur e di se çfarë do të bësh. Të dyja i kanë të këqijat dhe të mirat, por për ne është një plus i madh që në ditët e sotme jo gjithkush ta jep mundësinë të bësh diçka që e ke në kokë”, tha mes tjerash.Për Berishën, puna me inteligjencën artificiale nuk e ka ndryshuar në thelb procesin krijues të një filmi.

Sipas Berishës, ndryshimi më i madh që ka sjellë AI në këtë proces është eliminimi i nevojës për xhirime tradicionale.

“Pjesa e vetme që e ka zëvendësuar AI është pjesa e xhirimeve. Çdo pjesë tjetër duhet të mendohet sërish, të mendohet në mënyrë tradicionale”, ka shtuar Berisha.

Nga 6800 filma në Top 50Për ekipin e “OLL KORRECT”, arritja në Top 50 përbën një nga momentet më të rëndësishme të këtij projekti.

– YouTube www.youtube.com

Sipas Kelmendit, në garë kanë qenë rreth 6800 pjesëmarrës dhe po aq projekte, ndërsa “BESA” ka arritur të pozicionohet mes 50 filmave më të mirë.

“Fakti që kemi hyrë në Top 50-shen, për ne është, mos të them, mjaftueshëm, por jemi shumë të lumtur, pasi kanë qenë 6800 pjesëmarrës, 6800 filma dhe prej 6800 filmave në Top 50 jemi ne. Jemi në një renditje shumë, shumë të lartë”, ka thënë Kelmendi.

Ajo e cilëson këtë rezultat si një prej momenteve më të mira për ekipin, sidomos pas një procesi të gjatë dhe të lodhshëm krijues.

“Kjo ka qenë një prej gjërave më të mira që na ka ndodhur pas një procesi shumë të lodhshëm”, ka përfunduar Kelmendi.

Tashmë, “BESA” vijon garën në fazën e vlerësimit nga juria ndërkombëtare.

Përtej rezultatit final, projekti i Elena Kelmendit dhe Lirim Berishës ka arritur ta çojë një prej rrëfimeve më të njohura shqiptare në një hapësirë të re të kinemasë, duke përdorur inteligjencën artificiale jo vetëm si teknologji, por si një mjet për ta treguar kulturën dhe historinë shqiptare para një audience globale. /Telegrafi/