Alarmi për një objekt të dyshimtë në Rrugën e Elbasanit, pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ka rezultuar i rremë.
Pas ndërhyrjes së Policisë së Shtetit, forcave xheniere dhe ekspertëve të antieksplozivit, është konstatuar se objekti që ngriti dyshimet nuk përmbante asnjë lëndë shpërthyese apo material të rrezikshëm.

Gazetarja e Top Channel, Dorjana Bezat, bën me dije se bëhej fjalë për një kovë të lënë pranë rrugës, e cila për shkak të rrethanave dhe vendndodhjes krijoi dyshime dhe solli aktivizimin e menjëhershëm të procedurave të sigurisë.
Për disa minuta, zona u rrethua nga efektivët e policisë, ndërsa qarkullimi i automjeteve në segmentin pranë Ambasadës Amerikane u bllokua për të mundësuar verifikimet e nevojshme.
Pas kontrollit të plotë të kryer nga specialistët, u konfirmua se objekti nuk përbënte asnjë rrezik për qytetarët dhe nuk kishte përmbajtje të dëmshme apo shpërthyese.
Menjëherë pas përfundimit të procedurave, perimetri i sigurisë u hoq dhe qarkullimi në zonë iu rikthye normalitetit. Autoritetet vijojnë të apelojnë që çdo objekt i dyshimtë të raportohet pranë strukturave të rendit, ndërsa verifikimet paraprake në këtë rast konfirmuan se alarmi ishte i pabazuar. /Tch/





