Milot Rashica ka folur pas fitores së Kosovës ndaj Irlandës, duke vlerësuar paraqitjen e “Dardanëve” dhe karakterin e treguar nga skuadra në një ndeshje të vështirë.
Kosova e nisi me fitore edicionin e ri të Ligës së Kombeve, duke triumfuar 1:0 ndaj Irlandës në stadiumin “Fadil Vokrri”. Golin e fitores e shënoi kapiteni Vedat Muriqi, ndërsa Rashica ishte një nga futbollistët e përfshirë në planet e Franco Fodës për këtë ndeshje.

Sulmuesi kosovar theksoi se skuadra e kishte të qartë se përballë kishte një kundërshtar fizikisht të fortë dhe të organizuar mirë në fazën defensive. Megjithatë, Kosova arriti të krijojë raste dhe në pjesën e dytë ta gjejë golin që i siguroi tri pikët.
Rashica foli edhe për gatishmërinë e tij, duke theksuar se, pavarësisht minutave të pakta në klub gjatë periudhës së fundit, kishte ardhur në grumbullim i gatshëm për ta dhënë maksimumin për Kosovën.
“Ndeshje e parë e kemi ditur se është e vështirë sepse fizikisht janë të fortë dhe të mirë në lojën në ajër. Kryesorja ishte të nisim me fitore. Kishim raste në pjesën e parë por fati nuk ishte me ne. Në pjesën e dytë krijuam dhe shënuam. Irlanda është ekip që mbrohet mirë, me gjithë ekipin. Mbrojtësit në pjesën e parë e nxorën topin nga vija. Ishin gjithë ekipi prapa. Ata janë të gjatë dhe të gjithë mbroheshin në 16-metërsh”.
“Por në fund ia arritëm të fitojmë, dhe e nisëm me fitore kampanjën para tifozëve tonë. Unë nuk kam luajtur shumë me klubin në ndeshjet e fundit por kam qenë gjithmonë i gatshëm. Kemi folur me trajnerin para se të vij dhe i kam thënë se do të jem i gatshëm për ta dhënë maksimumin. U pa nga të gjithë, luftuam për njëri-tjetrin. Nëse vazhdojmë kështu jemi në rrugë të mirë. Ndeshja ndaj Austrisë do të jetë më e vështirë për shkak të kualitetit. Edhe vitin e kaluar e treguam që kemi shfaqur ndeshje të mira. Do të shkojmë për fitore”, ka thënë Rashica.
Kosova tashmë e ka kthyer vëmendjen te ndeshja e radhës. “Dardanët” të dielën do të përballen me Austrinë në udhëtim, në ndeshjen e dytë të këtij cikli të Ligës së Kombeve.
Fitorja ndaj Irlandës i ka dhënë Kosovës një start pozitiv, ndërsa skuadra e Franco Fodës synon ta vazhdojë këtë ecuri edhe në sfidën e vështirë ndaj austriakëve. /Telegrafi/





