Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Bosnjë dhe Hercegovinë, Michael Murphy, ka reaguar ndaj një shkrimi të autorit izraelit Jose Lev Alvarez, në të cilin argumentohet se administrata e Donald Trumpit duhet ta njohë pavarësinë e Republika Srpska, shkruan Telegrafi.
Artikulli i publikuar në Washington Examiner mban titullin “Lëreni Bosnjën të shpërbëhet: Pse Donald Trump duhet ta njohë Republikën Serbe të pavarur”.
Murphy pretendon se shkrimi është pjesë e përpjekjeve më të gjera lobuese për të ndryshuar narrativën rreth Bosnjë dhe Hercegovinës në Washington, raporton Klix.ba.
Sipas tij, gjatë vitit të fundit janë publikuar një numër “analizash” për Bosnjën, shumë prej të cilave, siç pretendon ai, janë shkruar nga lobistë të paguar për të promovuar mite etnonacionaliste dhe dezinformata për vendin dhe historinë e tij.
Megjithatë, Murphy e cilësoi shkrimin e Alvarez si më ekstrem se të tjerët.
“Ky ‘shkrim analitik’ është bindshëm më i çmenduri”, ka deklaruar ish-ambasadori amerikan.
Murphy, me ironi, tha se nga artikulli mund të nxirren edhe disa ide, duke përmendur mundësinë që anëtarët e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës të propozojnë njohjen e Kosovës, si dhe t’u ofrojnë Shteteve të Bashkuara mundësinë për krijimin e një baze ushtarake në vend.
“Disa anëtarë të Presidencës së B&H ndoshta mund të përpiqen të zbatojnë disa nga idetë e tij duke propozuar një vendim që B&H të njohë Kosovën, si dhe një vendim tjetër që do t’u ofronte SHBA-ve një bazë në B&H. Forcat amerikane mund të ktheheshin në Tuzla, ku ishin të stacionuara për vite me radhë pas luftës, ose të krijonin një bazë në Brçko. Të dyja do të ishin në kohën e duhur”, shtoi ish-ambasadori i SHBA-së, transmeton Telegrafi.
Sipas tij, forcat amerikane mund të riktheheshin në Tuzla, ku kishin qenë të stacionuara për vite pas luftës, ose të krijonin një bazë në Brçko.
Në artikullin e tij, Alvarez argumenton se SHBA-ja duhet ta njohë pavarësinë e Republika Serbe, ndërsa ndër pretendimet e tij është se serbët janë “të bllokuar në një shtet artificial” dhe se eksperimentet multietnike në Ballkan kanë dështuar.
Klix.ba thekson se nuk është konfirmuar nëse shkrimi është pjesë e aktiviteteve lobuese të lidhura me kompani të paguara nga Qeveria e Republika Srpska, pasi publikimi nuk përmban ndonjë tregues të qartë se bëhet fjalë për përmbajtje të sponsorizuar./Telegrafi/.






