Brukseli po u kërkon vendeve të BE-së që kanë interceptorë Patriot në rezervat kombëtare t’ia dërgojnë Ukrainës përpara dimrit, me premtimin se do t’i zëvendësojë më vonë me dërgesa të reja të planifikuara për vitin 2027.
BE-ja do të ndajë 6.1 miliardë euro shtesë për Ukrainën, kryesisht për blerjen e pajisjeve ushtarake, përfshirë interceptorët Patriot dhe dronët.
Komisioneri evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, tha se përshpejtimi i furnizimeve është jetik, pasi Ukraina përballet me sulme gjithnjë e më të fuqishme ruse.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka vlerësuar se vendit i nevojiten rreth 300 interceptorë Patriot për të përballuar dimrin.
Mungesa e tyre ka kufizuar aftësinë e Ukrainës për të ndaluar raketat balistike ruse.
Një interceptor PAC-3 kushton rreth 4 milionë dollarë dhe prodhimi i tij mund të zgjasë deri në 24 muaj, duke e bërë të vështirë furnizimin e shpejtë.
Ndërkohë, BE-ja dhe Ukraina po forcojnë edhe bashkëpunimin për prodhimin e dronëve, përmes një aleance që përfshin kompani evropiane dhe ukrainase.






