“Nuk po gjykohen veç ata”, Don Xhoni bën thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri

Magazina

Don Xhoni ka bërë të ditur se do t’i bashkohet marshit protestues “Marsh për Liri”, që do të mbahet më 12 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke nisur nga ora 14:00. Përmes disa postimeve në Instagram, reperi ka shprehur mbështetjen e tij për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Në mesazhin e tij […]

Madhësia e shkronjave

Don Xhoni ka bërë të ditur se do t’i bashkohet marshit protestues “Marsh për Liri”, që do të mbahet më 12 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, duke nisur nga ora 14:00.

Përmes disa postimeve në Instagram, reperi ka shprehur mbështetjen e tij për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në mesazhin e tij publik, Don Xhoni ka theksuar se marshimi nuk lidhet vetëm me emrat e ish-drejtuesve të UÇK-së, por edhe me historinë dhe sakrificën e vendit.

“Nuk po gjykohen veç ata. Po gjykohet një pjesë e historisë tonë. Po gjykohet sakrifica jonë. Po gjykohet liria e vendit tonë. E ajo liri, për mua, nuk ka çmim”, ka shkruar reperi, krahas emblemës zyrtare të UÇK-së, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në Prishtinë.

Ai gjithashtu ka shpërndarë posterin zyrtar me motot “Kosova po pret” dhe “Liria ka Emër”, ku janë fotografitë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Para Don Xhonit, edhe artistë të tjerë shqiptarë, mes tyre Yll Limani dhe Shyhrete Behluli, kanë përdorur platformat e tyre për të bërë thirrje për solidaritet. “Marshi për Liri”, i organizuar nga platforma “Liria ka Emër”, vjen si reagim qytetar ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi pritet të dëgjojnë verdiktin lidhur me akuzat ndaj tyre. /Telegrafi/