Ka shkëlqyer me paraqitje, Reali i ofron yllit të skuadrës pagë të njëjtë si Vinicius Jr

Sport

Real Madridi ka nisur diskutimet për një kontratë të re dhe luksoze për Jude Bellinghamin, me klubin spanjoll që synon t’ia rrisë pagën në nivelin e Vinicius Juniorit. Sipas gazetarit Jorge Picon, drejtuesit e Real Madridit duan ta shpërblejnë mesfushorin anglez për paraqitjet e tij dhe njëkohësisht ta mbrojnë nga interesimi në rritje i klubeve […]

Madhësia e shkronjave

Real Madridi ka nisur diskutimet për një kontratë të re dhe luksoze për Jude Bellinghamin, me klubin spanjoll që synon t’ia rrisë pagën në nivelin e Vinicius Juniorit.

Sipas gazetarit Jorge Picon, drejtuesit e Real Madridit duan ta shpërblejnë mesfushorin anglez për paraqitjet e tij dhe njëkohësisht ta mbrojnë nga interesimi në rritje i klubeve të Ligës Premier.

Bellingham ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2029, por klubi nuk dëshiron të presë deri në vitet e fundit të marrëveshjes për të përmirësuar kushtet e tij.

“Los Blancos” synojnë që ta vendosin anglezin në grupin e lojtarëve më të paguar të skuadrës, së bashku me Viniciusin dhe Kylian Mbappen.

Rritja e pagës do të ishte edhe një sinjal i qartë për rëndësinë që Bellingham ka në projektin e klubit madrilen.

Anglezi është shndërruar në një prej figurave kryesore të skuadrës që prej transferimit nga Borussia Dortmundi dhe Real Madridi dëshiron ta sigurojë të ardhmen e tij afatgjatë në “Santiago Bernabeu”.

Sipas raportimeve, klubi ka fituar hapësirë në strukturën e pagave pas disa largimeve të fundit, të cilat kanë reduktuar shpenzimet e përgjithshme për pagat e lojtarëve.

Kjo i ka dhënë Real Madridit mundësinë që të bëjë një rregullim të rëndësishëm financiar për Bellinghamin, pa krijuar presion të madh në buxhetin e pagave.

Në Madrid duan të shmangin çdo mundësi që interesimi i klubeve të Ligës Premier të kthehet në një kërcënim real për të ardhmen e 23-vjeçarit./Telegrafi/