Yavuz Kirkuzer, i cili ka vazhduar për 43 vjet artin e gdhendjes në dru që e nisi në moshë të vogël në qytetin turk Erzurum dhe të cilit Ministria e Kulturës dhe Turizmit ia ka dhënë titullin “Bartës i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”, po punon për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm përvojën e tij gati gjysmë shekullore.
Njohja e Kirkuzerit, 56-vjeç, me drurin nisi në fëmijërinë e tij në punishtet ku luante.

Kur ishte vetëm 13-vjeç, Kirkuzer nisi profesionin si çirak pranë një mjeshtri dhe gjatë 43 viteve të fundit ka krijuar mijëra vepra duke e punuar drurin me shumë kujdes.
Kirkuzer, i cili ka marrë pjesë në shumë festivale kulturore me qëllim ruajtjen dhe promovimin e artit tradicional të gdhendjes në dru, sot vazhdon punimet në punishten e tij në një konak në pronësi të Bashkisë Metropolitane të Erzurumit, pranë Kalasë historike të Erzurumit.
“Atëherë ne ishim fëmijë. Për shkak të arsyeve ekonomike nuk futeshim në një punë tjetër. Në atë kohë çdo fëmijë vendosej patjetër si çirak në një punishte si rrobaqepësi, berber, parukeri, mobilieri apo zdrukthtari. Familjet i orientonin fëmijët e tyre drejt artit”, tha ai.
Duke theksuar se sot në qytet nuk ka më punishte të gdhendjes në dru, Kirkuzer tregoi se e ka kaluar jetën me drurin. /AA/




