Karikimi i telefonit është një nga temat më të diskutuara në mesin e përdoruesve të telefonave inteligjentë, por shumë nga besimet e zakonshme për bateritë rezultojnë të jenë të pasakta.
Sipas ekspertëve të teknologjisë, telefonat modernë janë të pajisur me sisteme që e ndalojnë automatikisht karikimin kur bateria arrin 100 për qind, duke e bërë të sigurt lënien e pajisjes në karikim gjatë natës. Në momentin që bateria mbushet, procesi ndalet dhe rifillon vetëm kur niveli bie lehtë.

Një tjetër mit i përhapur është se bateria duhet të zbrazet plotësisht para se të karikohet sërish.
Specialistët theksojnë se kjo praktikë mund të dëmtojë jetëgjatësinë e baterisë, duke rekomanduar që niveli ideal i karikimit të mbahet zakonisht midis 20 dhe 80 për qind.
Po ashtu, përdorimi i telefonit gjatë karikimit nuk konsiderohet i dëmshëm për baterinë, megjithëse mund të zgjasë kohën e karikimit në varësi të intensitetit të përdorimit.
Ekspertët hedhin poshtë edhe idenë se Wi-Fi konsumon sasi të madhe energjie, duke sqaruar se ndikimi i tij në bateri është minimal.
Në përgjithësi, specialistët theksojnë se shumica e “rregullave” të njohura për karikimin e telefonit janë mite, ndërsa pajisjet moderne janë të dizajnuara për përdorim të sigurt dhe efikas në jetën e përditshme. /Telegrafi/





