Minnesota Timberwolves dhe New York Knicks kanë nisur me fitore gjysmëfinalet e konferencave në NBA, duke marrë epërsinë 1-0 në seritë respektive.
Minnesota Timberwolves triumfuan me rezultatin e ngushtë 104-102 ndaj San Antonio Spurs në ndeshjen e parë të gjysmëfinales së Konferencës Perëndimore, e zhvilluar në San Antonio. Rikthimi i Anthony Edwards rezultoi vendimtar për mysafirët, teksa ai kontribuoi me 18 pikë, pavarësisht se ishte në dyshim për shkak të një dëmtimi.
Lider për Timberwolves ishte Julius Randle me 21 pikë dhe 10 ribaunde. Në anën tjetër, për Spurs u dalluan Dylan Harper me 18 pikë, si dhe Julian Champagnie dhe Stephon Castle me nga 17 pikë secili.
Vendasit u afruan në fund të ndeshjes në 104-102 pas një vjedhjeje nga Devin Vassell dhe një realizimi nga Harper, 31 sekonda para përfundimit. Megjithatë, një tentativë për tre pikë nga Champagnie në sekondat e fundit nuk pati sukses, duke i dhënë fitoren Minnesotës.
Një paraqitje historike erdhi nga Victor Wembanyama, i cili regjistroi 11 pikë, 15 ribaunde dhe 12 bllokime, duke vendosur rekord në playoff-et e NBA-së me një triple-double të rrallë që përfshin bllokime.
Edwards, i cili pritej të mungonte të paktën dy ndeshje për shkak të një dëmtimi të pësuar më 25 prill ndaj Denver Nuggets, u rikthye më herët se parashikimet dhe luajti 25 minuta, duke realizuar 8 nga 13 gjuajtje.
Në Konferencën Lindore, New York Knicks dominuan bindshëm Philadelphia 76ers me rezultatin 137-98.
Jalen Brunson ishte protagonisti kryesor me 35 pikë, ndërsa OG Anunoby shtoi 18 pikë. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe Mikal Bridges dhe Karl-Anthony Towns, të cilët realizuan nga 17 pikë secili.
Knicks kështu marrin një epërsi të fortë në seri, duke dhënë sinjale të qarta për synimet e tyre në këtë fazë të Play-Off-it. /Telegrafi/






