Futbollistët e Kombëtares së Irlandës kanë votuar pro për ta zhvilluar ndeshjen ndaj Izraelit, ndërsa pas diskutimeve të gjata është konfirmuar se ndeshja do të zhvillohet të dielën në Debrecen, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Sipas David Courell, shefit ekzekutiv të Federatës Irlandeze të Futbollit (FAI), njëri prej futbollistëve kishte shprehur shqetësimin e tij të shtunën në mëngjes lidhur me zhvillimin e ndeshjes dhe kishte bërë të ditur se po mendonte të largohej nga grumbullimi.
Në Irlandë ka pasur kundërshtime të forta ndaj zhvillimit të ndeshjeve me Izraelin, për shkak të ofensivës ushtarake izraelite në Gaza. Në korrik, Federata Irlandeze zhvilloi një votim pas protestave që kërkonin bojkotimin e ndeshjeve me Izraelin. Me 75 vota pro dhe 32 kundër, anëtarët vendosën që Kombëtarja të vazhdojë të luajë.
Një bojkot i ndeshjes do të mund të sillte sanksione nga UEFA dhe humbje të konsiderueshme financiare për federatën.
Edhe futbollistët kishin shprehur shqetësime për ndeshjen. Mesfushori Jason Knight kishte deklaruar: “Nuk mendoj se ndeshja duhet të zhvillohet domosdoshmërisht, por ajo po zhvillohet”.
Për shkak të diskutimeve mes futbollistëve, trajnerëve dhe drejtuesve të federatës, konferenca për shtyp dhe stërvitja e Irlandës të shtunën u vonuan. Sipas Courell, në fund një shumicë e qartë e futbollistëve votoi për zhvillimin e ndeshjes.
Përzgjedhësi i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, kishte deklaruar së fundmi: “Ne nuk po luajmë me gjenocidin, po luajmë kundër gjenocidit. Po luajmë kundër Izraelit dhe nuk po luajmë me Izraelin”.
Federata Izraelite e Futbollit reagoi ndaj kësaj deklarate, duke e akuzuar trajnerin islandez për “injorancë, hipokrizi dhe marrëzi”.
Nuk do të ketë shtrëngim duarsh para ndeshjes
Hallgrimsson e përshkroi situatën si “të jashtëzakonshme”, duke thënë se po përpiqeshin të “minimizonin dëmin”.
Sipas Courell, para ndeshjes nuk do të ketë shtrëngim duarsh me futbollistët e Izraelit dhe as shkëmbim të flamujve tradicionalë mes dy skuadrave.
Futbollistët irlandezë gjithashtu pritet të mbajnë shirita të zinj në krah për të përkujtuar personat që kanë humbur jetën në konfliktin Izrael-Gaza.
Pas ndeshjes në Debrecen, Irlanda do të presë Austrinë në Dublin të enjten, ndërsa të dielën pasuese do të përballet sërish me Izraelin, këtë herë në Serbi.
Transmetuesi irlandez RTE do të transmetojë drejtpërdrejt të dyja ndeshjet ndaj Izraelit për të përmbushur detyrimet kontraktuale. Megjithatë, transmetimet nuk do të kenë reklama, komentim, analiza nga ekspertët apo analizë në pjesën e parë./Telegrafi/






