LIVE: Diskutimi për presidentin, opozita s’merr pjesë në seancë

Nacionale

Kuvendi i Kosovës po mban seancë plenare kushtuar çështjes së zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, një ditë para skadimit të afatit kushtetues për përmbylljen e këtij procesi. Në rend dite ishte “diskutimi lidhur me zgjedhjen” e kreut të shtetit, në një moment kur institucionet po i afrohen afatit të përcaktuar me Kushtetutë për […]

Madhësia e shkronjave

Kuvendi i Kosovës po mban seancë plenare kushtuar çështjes së zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, një ditë para skadimit të afatit kushtetues për përmbylljen e këtij procesi.

Në rend dite ishte “diskutimi lidhur me zgjedhjen” e kreut të shtetit, në një moment kur institucionet po i afrohen afatit të përcaktuar me Kushtetutë për finalizimin e procedurës së zgjedhjes së presidentit.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se partia e saj është e gatshme të japë nënshkrimet e nevojshme për tre kandidatë për president, sapo që emrat të propozohen nga PDK-ja dhe LDK-ja.

“Arsyeja e tre kandidatëve është që PDK dhe LDK të bëhen pjesë e procesit. Dhe, do të shmangeshin zgjedhjet e reja sepse do të merrnin pjesë në votim 80 deputetë”, tha ajo.

Nagavci tha se LVV tërheqë kandidatët e saj për president, por opozita duhet që paraprakisht të propozojë të paktën dy emra për president.

Ajo tha se pranuar asnjë nënshkrim nga LDK-ja për të propozuar ish-presidenten Vjosa Osmani për presidente.

E pyetur që të konfirmojë raportimet se LVV po bisedon me Bashkim Jasharin që ai të kandidohet për president, Nagavci tha:

“Nuk mund të konfirmoj informacionin që po qarkullon në media. Ajo që mund të konfirmoj është që si LVV kemi bërë propozime të njëpasnjëshme dhe i fundit ishte propozimi i tre kandidatëve”.

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përsëriti qëndrimin se partia e tij ka përmbyllur kontributin për çështjen e presidentit.

Ai tha se të gjitha propozimet e bëra nga partia e tij “nuk janë marrë në konsideratë” nga LVV-ja.

“Ju uroj sukses në zgjedhjen e presidentit me 90 deputetët” e tjerë të Kuvendit, tha Hamza pas përfundimit të seancës së rregullt plenare.

I pyetur nëse do të votonte dikë nga familja e heroit të Kosovës, Adem Jashari, Hamza tha se në këtë drejtim qëndrimi i partisë nuk ka ndryshuar – teksa paraprakisht kishte shprehur mbështetje për ndonjë kandidat nga kjo familje.

E nëse LDK-ja e propozon ish-presidenten Vjosa Osmani, Hamza tha se ajo mund të zgjidhet me votat e LDK-së dhe LVV-së.

Hamza tha se me LVV-në diskutimet asnjëherë nuk kanë arritur deri te emrat e përveçëm.

Ai nuk tregoi nëse deputetët e partisë së tij do të marrin pjesë në seancën për presidentin.

Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se nuk do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës për diskutim lidhur me zgjedhjen e presidentit.

Tahiri tha se diskutime serioze për presidentin ishin dashur të bëhen tash e tre muaj.

“AAK nuk ka qenë e ftuar në këto diskutime, nuk ka marrë pjesë dhe rrjedhimisht ne nuk marrim pjesë në një diskutim që sërish është një performancë publike”, tha Tahiri.

Ai shtoi se diskutimi i sotëm pritet të jetë “diskutim për të folur vetmëvete”, duke iu referuar partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, u ka thënë mediave që si parti nuk do të marrin pjesë në seancën e thirrur të Kuvendit të Kosovës për “diskutim lidhur me zgjedhjen e Presidentit.

Seancën e paralajmëruar, Abdixhiku e ka quajtur “show propagandues i Vetëvendosjes ”.

Seanca është paralajmëruar se do të fillojë sot në orën 17, gjersa afati i fundit për zgjedhjen e një presidenti është nesër më 28 prill.

Në të kundërtën, Kosova do të shkojë në zgjedhje.

Edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili e ka quajtur këtë seancë “show”, në një postim në Facebook duke thënë se për Presidentin “votohet e nuk diskutohet”.