Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka marrë një vendim pozitiv lidhur me parcelën ku pritet të ndërtohet Qendra Rezidenciale për fëmijët me autizëm, sindromën Down dhe nevoja të veçanta, duke i hapur rrugë vazhdimit të projektit të shumëpritur.
Lajmin e ka bërë të ditur humanisti Halil Kastrati, themelues i organizatës “Jetimat e Ballkanit”, i cili e ka cilësuar vendimin si një moment të rëndësishëm pas një pritjeje njëvjeçare dhe një procesi të shoqëruar me shqetësime nga prindërit e fëmijëve për vonesat në realizimin e projektit.

Sipas tij, vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep fund pasigurisë ligjore dhe i hap rrugë fillimit të punimeve për qendrën rezidenciale, e cila synon të ofrojë kujdes dhe shërbime të specializuara për fëmijët me nevoja të veçanta.
“Një vit pritje, një vit shpresë… sot kemi përgjigjen se projekti do të realizohet dhe punimet do të fillojnë,” ka deklaruar Kastrati, duke theksuar se ndërtimi i qendrës do të vazhdojë deri në finalizimin e saj.
Projekti është pjesë e angazhimeve të organizatës “Jetimat e Ballkanit”, e cila prej 17 vitesh merret me ndihmë humanitare për familjet në nevojë dhe kategori të ndryshme sociale në Kosovë dhe rajon.
Qendra rezidenciale pritet të ofrojë shërbime të specializuara dhe kushte të përshtatshme për fëmijët me autizëm, sindromën Down dhe nevoja të tjera zhvillimore, duke u konsideruar si një nga projektet më të rëndësishme sociale në këtë fushë në vend.





