Tifozët e Tiranës, të njohur si “Fanatics”, kanë shprehur mbështetjen e tyre për protestën e studentëve në Shqipëri, duke shpalosur një baner me mesazhin: “Kur padrejtësia bëhet ligj, rezistenca bëhet detyrim”.
Mesazhi u shfaq gjatë ndeshjes së javës së shtatë të Superligës së Shqipërisë, mes Tiranës dhe Laçit, e cila po zhvillohet në stadiumin e Vorës.
Vetëm pesë minuta pas shpalosjes së banerit, tifozët bardheblu lëshuan stadiumin për t’iu bashkuar protestuesve në rrugë, duke e kthyer mbështetjen e tyre në një veprim konkret solidarizimi me studentët.
Protesta ka hyrë në ditën e pestë dhe, përveç kryeqytetit, është përhapur edhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë. Ajo nisi si reagim ndaj kushteve të pakënaqshme në arsim, por edhe në çështje ekonomike e sociale.
Ndër kërkesat e protestuesve është edhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama dhe e ministrave të qeverisë së tij.
Me banerin dhe largimin nga stadiumi, “Fanatics” iu bashkuan kështu lëvizjes së studentëve, duke përcjellë një mesazh të qartë në mbështetje të protestës dhe kërkesave të tyre. /Telegrafi/






