Kryeziu: Nëse Kuvendi nuk konstituohet sot, nuk ka sanksione kushtetuese, por ngërçi mund të zgjasë pafund

Nacionale

Sot përfundon afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, afat që buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu vlerëson se nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet as sot, Kushtetuta nuk parasheh ndonjë masë ndëshkuese, ndërsa procesi mund të vazhdojë deri në arritjen e konstituimit të legjislativit. Kryeziu në […]

Madhësia e shkronjave

Sot përfundon afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, afat që buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu vlerëson se nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet as sot, Kushtetuta nuk parasheh ndonjë masë ndëshkuese, ndërsa procesi mund të vazhdojë deri në arritjen e konstituimit të legjislativit.

Kryeziu në një prononcim për Telegrafin tha se afati 30-ditor konsiderohet një afat i arsyeshëm për konstituimin e Kuvendit, por theksoi se mungesa e konstituimit nuk shoqërohet me ndonjë sanksion kushtetues.

“Nëse nuk thirret edhe sot seanca, nuk ka ndonjë masë ndëshkuese kushtetuese që mund të zbatohet. Edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e bën të qartë se Kuvendi duhet të konstituohet patjetër, pasi ky është obligim kushtetues, ligjor, moral dhe etik i deputetëve”, u shpreh ai.

I pyetur nëse kjo situatë i ngjan ngërçit të kaluar, kur konstituimi i Kuvendit zgjati me muaj, Kryeziu tha se po përsëritet i njëjti skenar.

“Po, riciklohen situatat. Kjo është një situatë që nuk ka ndodhur më parë në historinë parlamentare të Republikës së Kosovës. Ka vakuume kushtetuese dhe mangësi edhe në Rregulloren e Punës së Kuvendit”, tha ai.

Sipas Kryeziut, deputetët janë të obliguar që ta vazhdojnë seancën konstituive çdo 48 orë, në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit, dhe ky proces duhet të vazhdojë derisa të bëhet konstituimi i plotë i legjislativit.

“Ata kanë detyrim që ta vazhdojnë seancën çdo 48 orë. Kjo mund të zgjasë derisa të konstituohet Kuvendi”, theksoi ai.

Kryeziu paralajmëroi se zvarritja e konstituimit cenon funksionimin e rendit kushtetues dhe juridik të vendit.

“Nëse Kuvendi nuk konstituohet, cenohet rendi juridik dhe kushtetues i Republikës së Kosovës. Kjo krijon një përgjegjësi që duhet të trajtohet edhe nga institucionet e tjera të shtetit”, deklaroi ish-gjyqtari.

Në fund, ai nënvizoi se pas kalimit të afatit 30-ditor nuk ekziston një afat i ri kushtetues që detyron konstituimin e Kuvendit.

“Afati 30-ditor përfundon sot. Pas kësaj, procesi mund të zgjasë deri në momentin kur deputetët arrijnë ta konstituojnë Kuvendin, pasi Kushtetuta nuk përcakton një afat tjetër detyrues”, përfundoi Kryeziu.

Ndryshe, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës e cila nisi të enjten nuk u konsistua pasi procesi u ndërpre para zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Si pikë e parë e rendit të ditës u themelua Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, ndërsa pas miratimit të raportit të këtij komisioni, deputetët dhanë betimin solemn.

Pas përfundimit të kësaj pike të rendit të ditës, seanca kaloi në procedurën për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Por, Lëvizja Vetëvendosje nuk paraqiti emrin e kandidatit për këtë post, ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i kësaj partie kërkoi kohë shtesë për konsultime dhe arritjen e një marrëveshjeje politike me subjektet e tjera parlamentare lidhur me presidentin.

Në mungesë të një propozimi për kryetar të Kuvendit, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi ndërprerjen e punimeve, pa caktuar një datë për vazhdimin e tyre. /Telegrafi/