Kim Kardashian ka folur për periudhën e gjatë që kaloi pa një lidhje serioze, përpara se të niste romancën me shoferin e Formula 1, Lewis Hamilton.
Në një intervistë të re për The Times, 45-vjeçarja tregoi se pas lidhjeve të mëparshme nuk kishte ndier nevojën për të nxituar drejt një marrëdhënieje të re, pasi i duhej kohë për t’u përqendruar te vetja.
“Kam qenë vërtet vetëm për pesë vjet dhe ishte një ndjenjë e mrekullueshme. Mund të përqendrohesha te fëmijët e mi dhe te projektet në të cilat vërtet dëshiroja të përfshihesha. Nuk kam ndier aspak nevojë për t’u nxituar”, tha Kardashian.

Ajo shtoi se gjatë kësaj periudhe nuk është ndier sikur i mungonte diçka në jetën e saj.
“Nuk ndihesha bosh. Ndihesha sikur kisha nevojë për kohë për veten. Doja të rikuperohesha plotësisht dhe thjesht të punoja me veten. Nuk isha gati të hapesha”, shpjegoi ajo.
Kardashian tregoi se në atë periudhë as që mendonte për një lidhje të re, duke shtuar: “Universi punon në favorin tuaj kur thjesht e lejoni të ndodhë”.
Pas divorcit nga Kanye West, Kardashian pati një lidhje nëntëmujore me aktorin dhe komedianin Pete Davidson, e cila përfundoi në vitin 2022. Pas kësaj, ajo nuk konfirmoi publikisht ndonjë lidhje tjetër deri këtë vit, kur nisi romancën me Lewis Hamilton.
Thashethemet për një lidhje mes Kardashian dhe Hamilton nisën të qarkullonin në fillim të këtij viti, ndërsa në qershor ajo publikoi në Instagram fotografi dhe video të përbashkëta me pilotin britanik.
Megjithatë, në intervistën e re Kardashian nuk ka dashur të flasë shumë për marrëdhënien e tyre. Kur u pyet nëse dëshironte ta komentonte romancën, ajo u përgjigj: “Me gjithë respektin, ndoshta do të preferoja të mos e bëja”. /Telegrafi/





