KDI kërkon zgjedhjen e Presidentit para 4 tetorit, kërkon sqarim kushtetues për pas-4 tetorin

Nacionale

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar që partitë parlamentare t’i përqendrojnë përpjekjet në zgjedhjen dhe betimin e Presidentit para 4 tetorit, për të shmangur paqartësitë lidhur me ushtrimin e kompetencave presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore. KDI-ja këtë kërkesë e ka bërë gjatë një konference për media, ku prezantoi analizën “Ushtrimi i detyrës së […]

Madhësia e shkronjave

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka kërkuar që partitë parlamentare t’i përqendrojnë përpjekjet në zgjedhjen dhe betimin e Presidentit para 4 tetorit, për të shmangur paqartësitë lidhur me ushtrimin e kompetencave presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore.

KDI-ja këtë kërkesë e ka bërë gjatë një konference për media, ku prezantoi analizën “Ushtrimi i detyrës së Presidentit përtej gjashtë muajve”.

Eugen Cakolli, gjatë prezantimit të analizës, rikujtoi se periudha e ushtrimit të detyrës nga Albulena Haxhiu, e cila nisi më 4 prill, përfundon më 4 tetor.

Ndërkohë, sipas KDI-së, afati përfundimtar për zgjedhjen e Presidentit, i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, është 6 tetori.

“Afati i 6 tetorit përcakton kohën që ka Kuvendi për ta zgjedhur Presidentin dhe pasojën nëse dështon, ndërsa kufiri gjashtëmujor lidhet me kohëzgjatjen e ushtrimit të përkohshëm të përgjegjësive presidenciale”, tha Cakolli.

Ai iu referua edhe deklaratës së përbashkët të publikuar një ditë më parë nga rreth 50 organizata të shoqërisë civile, përmes së cilës u kërkua arritja e një marrëveshjeje për zgjedhjen e Presidentit brenda afatit.

Sipas Cakollit, një dështim tjetër në zgjedhjen e Presidentit do ta çonte vendin në zgjedhje, ndërsa ekziston rreziku që çështja e zgjedhjes së Presidentit të vazhdojë të mbetet e pazgjidhur edhe në legjislaturën pasuese.

Në konferencë, Vullnet Bugaqku paraqiti vlerësimin e KDI-së se kufiri gjashtëmujor, i përcaktuar në nenin 90, paragrafi 3 të Kushtetutës, e kufizon ushtrimin e përkohshëm të funksionit të Presidentit.

Sipas analizës së KDI-së, rizgjedhja e Kryetares së Kuvendit më 9 shtator nuk ka krijuar automatikisht një periudhë të re gjashtëmujore, përderisa vakanca presidenciale ka vazhduar.

“Rizgjedhja ose ndërrimi i Kryetarit, pa ndërprerjen e vakancës presidenciale, nuk trajtohet si rifillim automatik i afatit”, u shpreh Bugaqku.

Ai tha se mungesa e një mekanizmi të shprehur pasimi pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore krijon pasiguri për ushtrimin e kompetencave të Presidentit.

Sipas KDI-së, kjo çështje bëhet veçanërisht e rëndësishme në rast se zgjedhja e Presidentit dështon edhe më 6 tetor, pasi shpallja e zgjedhjeve të reja është kompetencë ekskluzive e Presidentit.

KDI ka kërkuar që Kryetarja e Kuvendit, në cilësinë e ushtrueses së detyrës së Presidentes, apo palët e tjera të autorizuara, ta shqyrtojnë menjëherë mundësinë e kërkesës për sqarimin e aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Instituti i është referuar praktikës së vitit 2011, duke argumentuar se çështjet që kërkojnë sqarim përfshijnë lidhjen ndërmjet afatit gjashtëmujor dhe afatit të 6 tetorit, bazën dhe kufijtë e ushtrimit të përgjegjësive presidenciale pas 4 tetorit, si dhe autoritetin për shpalljen e zgjedhjeve në rast të dështimit të zgjedhjes së Presidentit.

Në këtë drejtim, KDI i ka bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese që kërkesat eventuale t’i trajtojë me përparësi dhe në procedurë të përshpejtuar, duke respektuar afatet procedurale dhe duke marrë parasysh afërsinë e datave 4 dhe 6 tetor. /Telegrafi/