Si i mbijetoi amerikanja injeksionit vdekjeprurës dhe çfarë ndodhi gjatë dy orëve në dhomën e ekzekutimit?

Bota

Ekzekutimi i Christa Pike në Tennessee nuk u krye, pasi ajo i mbijetoi dy dozave të pentobarbitalit dhe më pas u dërgua në spital. Gazetarët e Associated Press, të cilët dëshmuan ekzekutimin e dështuar, kanë publikuar detaje nga dhoma e ekzekutimit. Pike, e dënuar me vdekje për torturimin dhe vrasjen e 19-vjeçares Colleen Slemmer në […]

Madhësia e shkronjave

Ekzekutimi i Christa Pike në Tennessee nuk u krye, pasi ajo i mbijetoi dy dozave të pentobarbitalit dhe më pas u dërgua në spital. Gazetarët e Associated Press, të cilët dëshmuan ekzekutimin e dështuar, kanë publikuar detaje nga dhoma e ekzekutimit.

Pike, e dënuar me vdekje për torturimin dhe vrasjen e 19-vjeçares Colleen Slemmer në vitin 1995, para fillimit të injeksionit vdekjeprurës tha se ishte e qetë.

Sot ajo është 50 vjeçe, ndërsa në kohën e vrasjes ishte 18 vjeçe. Ajo pritej të bëhej gruaja e parë e ekzekutuar në Tennessee pas më shumë se 200 vjetësh.

Sipas AP-së, Pike ishte e lidhur në barelë dhe kishte një linjë intravenoze në dorë kur, në orën 19:27, zyrtarët e burgut ngritën perden që ndante dhomën e ekzekutimit nga dëshmitarët.

Rreth orës 19:30, asaj iu dha mundësia të bënte deklaratën e fundit. “Jam gati të jem e lirë. Kjo është një ditë e lumtur”, tha Pike.

Këshilltari i saj shpirtëror qëndroi pranë barelës, foli me të dhe këndoi një këngë ku përsëritej fraza “Të dua”. Pike ngrinte kokën, shikonte përreth dhe buzëqeshte. Më pas tha se i dhembte krahu dhe pyeti një zyrtar të burgut nëse duhej të ndihej kështu.

Në orën 19:46, perdja u ul. Tri minuta më vonë ajo u ngrit sërish, pasi protokolli i Tennesseet parashikon një dozë të dytë të pentobarbitalit nëse i dënuari nuk ka vdekur pas dozës së parë.

Pas dozës së dytë, Pike filloi të nxirrte tinguj të ngjashëm me gërhitjen, por vazhdoi të merrte frymë. Kjo gjendje zgjati rreth një orë.

Avokati i saj, Randy Spivey, tha se rreth orës 20:22 kërkoi qasje në telefon për të kontaktuar avokatët e tjerë të ekipit dhe kërkoi ndërprerjen e ekzekutimit dhe ofrimin e ndihmës mjekësore.

Rreth orës 20:50 mori konfirmimin se ambulanca ishte nisur, ndërsa automjetet e zjarrfikësve dhe emergjencës mbërritën para burgut rreth orës 21:14.

Departamenti i Burgjeve në Tennessee deklaroi se kishte vepruar sipas protokollit, ndërsa nuk shpjegoi se çfarë kishte shkuar keq. Guvernatori Bill Lee urdhëroi një rishikim të procedurës dhe shtyu një ekzekutim tjetër të planifikuar për më vonë gjatë këtij viti.

Nëna e viktimës, May Martinez, kishte udhëtuar drejt Nashville për të dëshmuar ekzekutimin. “Nuk mora drejtësi për vajzën time”, tha ajo për AP, duke shtuar “kjo nuk është drejtësi për Colleen”.

Ndryshe, mjekët tani po mundohen t’ia shpëtojnë jetën njeriut që i shpëtoi dy dozave me injeksione vdekjeprurëse. /Telegrafi/