Kapiteni i Skocisë, Andy Robertson, ka folur me respekt të madh për Brazilin në prag të përballjes vendimtare mes dy kombëtareve në Kupën e Botës 2026.
“Po luajmë kundër një vendi të madh, ndoshta më ikonikun në historinë e Kupës së Botës dhe kombëtaren më të dekoruar ndonjëherë. Por kjo na jep edhe një mundësi për të realizuar ëndrrat tona. Ne duam të shkruajmë histori për vendin tonë të vogël”, deklaroi mbrojtësi skocez.
Ai theksoi se Skocia ka shansin të arrijë një sukses historik pikërisht përballë pesë herë kampionëve të botës.
“Tani kemi mundësinë ta bëjmë këtë kundër Brazilit. Për momentin, gjithçka varet nga ne. E dimë se nëse arrijmë një rezultat pozitiv, atëherë do të sigurojmë kualifikimin. Kjo është ajo ku duhet të fokusohemi”, shtoi Robertson.
Ndërkohë, Skocia do të zbresë në fushë në stadiumin e Miamit me disa lojtarë në rrezik pezullimi.
Përveç mungesës së Aaron Hickeyt për shkak të lëndimit, Robertson, Kenny McLean dhe Findlay Curtis janë vetëm një karton të verdhë larg suspendimit, pasi janë ndëshkuar në dy ndeshjet e para të turneut.
Megjithatë, kapiteni skocez insistoi se kjo nuk do të ndikojë në qasjen e tij ndaj ndeshjes.
“Duhet ta luash lojën normalisht, kjo është pjesë e futbollit. Nuk mund të fillosh të mendosh për pezullimet apo gjëra të tjera që mund të ndodhin. Ka disa prej nesh që jemi me kartonë dhe kjo është diçka normale në këtë fazë të turneut”.
“Të gjithë lojtarët duhet të japin 100 për qind nga vetja dhe unë do ta bëj këtë pa marrë parasysh nëse jam i rrezikuar nga pezullimi apo jo”, përfundoi Robertson. /Telegrafi/






