Një zyrtar iranian i paidentifikuar i tha të martën agjencisë japoneze të lajmeve “Kyodo News” se Teherani ka ofruar të “rihapë Ngushticën e Hormuzit brenda shtatë ditëve, nëse Shtetet e Bashkuara ndërmarrin hapa fillestarë drejt lehtësimit të presionit ushtarak”.
Ndonëse media të tjera shkruajnë se nuk mund ta konfirmonin në mënyrë të pavarur vërtetësinë e deklaratës, raportohet se propozimi “i është përcjellë tashmë Uashingtonit përmes ndërmjetësve”.
Ai “kërkon rifillimin e bisedimeve që synojnë arritjen e një fundi të përhershëm të armiqësive midis dy vendeve”, tha zyrtari iranian.

Ai përjashtoi mundësinë e një takimi midis presidentit iranian Masoud Pezeshkian dhe homologut të tij amerikan Donald Trump në margjinat e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork këtë javë.
“Ekziston mundësia për të ecur drejt një marrëveshjeje”, citohet të ketë thënë zyrtari iranian.
Uashingtoni duhet të tregojë “seriozitet dhe përkushtim” nëse diplomacia pritet të përparojë, shtoi ai.
Ky zhvillim vjen në mes të tensioneve të vazhdueshme midis SHBA-së dhe Iranit, ndërsa negociatat e tyre mbeten të bllokuara për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë ujore strategjike për furnizimet me karburant dhe mallra.
Më 28 shkurt, SHBA-ja dhe Izraeli nisën një luftë kundër Iranit, duke e shtyrë Teheranin të kundërpërgjigjej me sulme ndaj Izraelit dhe vendeve të tjera të rajonit që strehonin asete amerikane.
Pas rënies dakord për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Pakistani në prill, SHBA-ja dhe Irani nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit të Islamabadit në qershor, i cili u dha të dyja palëve 60 ditë kohë për të diskutuar një marrëveshje afatgjatë.
Por palët shpejt u përfshinë në sulme hakmarrëse dhe SHBA-ja rivendosi bllokadën ushtarake ndaj porteve iraniane, ndërsa Teherani mbylli Ngushticën e Hormuzit. /Telegrafi/





