Tensionet mes Hungarisë dhe Ukrainës janë rikthyer në qendër të vëmendjes, vetëm pak muaj pas largimit të Viktor Orbánit nga pushteti në Budapest.
Përplasja e fundit shpërtheu pas krijimit nga Ukraina të forumit të ri rajonal “Carpathian Eight”, ku Hungaria u përfshi në listën e vendeve pjesëmarrëse. Kryeministri hungarez Péter Magyar reagoi duke thënë se Budapesti ishte ftuar, por kishte vendosur të mos i bashkohej nismës.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e prezantoi C8 më 18 shtator si një format të ri bashkëpunimi mes Ukrainës, Hungarisë, Polonisë, Rumanisë, Sllovakisë, Çekisë, Austrisë dhe Serbisë, me fokus te siguria, energjia, transporti dhe bashkëpunimi ekonomik ndërkufitar.
Por Magyar tha se Hungaria nuk është pjesë e këtij formati, transmeton Telegrafi.
“U ftuam, por për arsye të vlefshme nuk shkuam”, deklaroi ai në parlament, duke theksuar se Budapesti nuk merr pjesë në nismë.
Sipas mediave hungareze, përfaqësuesi diplomatik i Hungarisë ishte i pranishëm në samit, por nuk mori pjesë në aktivitetet kryesore dhe nuk nënshkroi deklaratën përfundimtare.
Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha reagoi ndaj deklaratave të Magyarit, duke thënë se Ukraina ishte e befasuar nga ajo që e quajti një qëndrim “panevojshëm konfrontues” të kryeministrit hungarez.
Sybiha tha se deklaratat nga Budapesti krijojnë përshtypjen se, edhe pas largimit të Orbánit, politikat që ai i përshkruan si “obstruksionizëm dhe izolim” vazhdojnë të jenë të pranishme në Hungari.
Magyar iu përgjigj duke këmbëngulur se një shtet sovran nuk mund të paraqitet si pjesë e një bashkëpunimi ndërkombëtar pa dhënë më parë pëlqimin e tij.
Për ta ilustruar qëndrimin e tij, ai përdori edhe një krahasim me një ekip futbolli që regjistron një lojtar pa e pyetur atë më parë.
Përplasja nuk u kufizua vetëm te C8. Një tjetër pikë tensioni lidhet me një marrëveshje mes kompanisë ukrainase të energjisë Naftogaz dhe kompanisë hungareze MOL për krijimin e kapaciteteve të magazinimit të naftës në territorin hungarez, me synimin për të mbrojtur furnizimet ukrainase nga ndërprerjet e mundshme. Magyar ka kundërshtuar një projekt të tillë dhe ka kërkuar që MOL të koordinojë me qeverinë çdo hap të ardhshëm.
Sipas kryeministrit hungarez, shteti zotëron rreth 25 për qind të MOL-it, ndaj qeveria duhet të jetë e përfshirë në vendime të kësaj natyre. Magyar ka thënë se nën qeverinë e tij nuk do të ndërtohen kapacitete të tilla në kufirin Hungari-Ukrainë apo në vende të tjera pa miratimin e Budapestit.
Marrëdhëniet mes Budapestit dhe Kievit kishin qenë veçanërisht të tensionuara gjatë qeverisjes së Orbánit, i cili kundërshtoi në mënyrë të përsëritur hapa të BE-së për mbështetjen financiare dhe ushtarake të Ukrainës dhe kundërshtoi avancimin e procesit të anëtarësimit të saj në BE.
Pas ardhjes së Magyarit në pushtet, pati sinjale për një qasje më pragmatike ndaj Kievit, por tensionet nuk janë zhdukur. Budapesti ka rikthyer kundërshtimin ndaj avancimit të negociatave të anëtarësimit të Ukrainës në BE, duke e lidhur qëndrimin e tij me çështjen e të drejtave të pakicës hungareze në Ukrainën perëndimore.
Ndërkohë, Magyar dhe Zelensky kanë shprehur më herët gatishmëri për një takim dypalësh, por deri tani nuk është caktuar një datë.
Kështu, nisma që Ukraina e paraqiti si një platformë të re për bashkëpunim rajonal tashmë është kthyer në një tjetër pikë përplasjeje diplomatike mes Kievit dhe Budapestit.






