IPKO mirëpriti finalen e Kampionatit të parë Shtetëror të Sigurisë Kibernetike të Kosovës

Teknologji

Në ambientet e IPKO-s u mbajt sot finalja e Kampionatit të parë Shtetëror të Sigurisë Kibernetike të Kosovës, një iniciativë që synon identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në një nga fushat më të rëndësishme të ekonomisë dhe shoqërisë digjitale. Pas katër raundeve kualifikuese dhe një procesi konkurrues ku morën pjesë mbi 100 kandidatë […]

Madhësia e shkronjave

Në ambientet e IPKO-s u mbajt sot finalja e Kampionatit të parë Shtetëror të Sigurisë Kibernetike të Kosovës, një iniciativë që synon identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të reja në një nga fushat më të rëndësishme të ekonomisë dhe shoqërisë digjitale.

Pas katër raundeve kualifikuese dhe një procesi konkurrues ku morën pjesë mbi 100 kandidatë nga e gjithë Kosova, 25 finalistët më të mirë u përballën me sfida të avancuara teknike në fusha si reverse engineering, web security, kriptografi, binary exploitation dhe analiza të sigurisë kibernetike.

Garuesit me rezultatet më të larta do të përbëjnë ekipin përfaqësues të Kosovës në European Cyber Security Challenge (ECSC) 2026, garën më prestigjioze evropiane në fushën e sigurisë kibernetike, e cila do të mbahet nga 12 deri më 16 tetor në Bochum të Gjermanisë.

Si Sponsor Gjeneral i Kosova Cyber Team 2026, IPKO mbështet këtë iniciativë si pjesë e angazhimit të saj afatgjatë për zhvillimin e kapaciteteve vendore në teknologji, inovacion dhe siguri kibernetike.

Siguria kibernetike është një komponent thelbësor i shoqërisë moderne digjitale. Për këtë arsye, IPKO investon vazhdimisht në avancimin e infrastrukturës së saj teknologjike, mbrojtjen e rrjeteve dhe zhvillimin e zgjidhjeve që garantojnë siguri dhe besueshmëri për klientët e saj. Paralelisht, kompania mbështet iniciativa që nxisin edukimin, zhvillimin profesional dhe përfshirjen e të rinjve në sektorët e teknologjisë.

Përmes bashkëpunimit me Kosova Cyber Team dhe partnerë të tjerë të ekosistemit teknologjik, IPKO kontribuon në krijimin e mundësive për talentët e rinj dhe në përgatitjen e gjeneratës së ardhshme të ekspertëve të sigurisë kibernetike.

Me këtë rast, Drejtori Ekzekutiv i IPKO-s, András Páli, theksoi: “Në ekonominë digjitale, siguria kibernetike është po aq e rëndësishme sa infrastruktura. Teknologjia krijon mundësi, por njerëzit krijojnë të ardhmen. Për këtë arsye, në IPKO investojmë jo vetëm në rrjete dhe sisteme të avancuara, por edhe në talentët që do të mbrojnë, zhvillojnë dhe udhëheqin transformimin digjital të Kosovës.”

Në ngjarje mori pjesë edhe Ministri i Ekonomisë dhe Digjitalizimit, Lulezon Jagxhiu, i cili theksoi: “Me rritjen e digjitalizimit, siguria kibernetike është bërë domosdoshmëri dhe prioritet i lartë shtetëror, duke kërkuar angazhim dhe investime të vazhdueshme në politika, mekanizma institucionalë, kapacitete teknologjike dhe ngritje të vetëdijes. Megjithatë, faktori më i rëndësishëm mbeten njerëzit. Për këtë arsye, po investojmë vazhdimisht në zhvillimin e profesionistëve të rinj dhe në ngritjen e kapaciteteve vendore, në bashkëpunim me partnerët tanë vendorë dhe ndërkombëtarë. Të rinjtë që po garojnë sot përfaqësojnë potencialin e Kosovës për të qenë pjesë aktive e komunitetit evropian të sigurisë kibernetike dhe inovacionit.”

Mbështetja për këtë kampionat është pjesë e përkushtimit më të gjerë të IPKO-s për zhvillimin e ekosistemit digjital në Kosovë, përmes partneriteteve me institucione arsimore, organizata të teknologjisë dhe iniciativa që promovojnë aftësitë STEM, inovacionin dhe transformimin digjital.

Finalja e sotme përfaqëson një moment të rëndësishëm për komunitetin e sigurisë kibernetike në Kosovë dhe dëshmon potencialin e jashtëzakonshëm të të rinjve në këtë fushë.

IPKO u uron sukses të gjithë finalistëve dhe ekipit që do ta përfaqësojë Kosovën në ECSC 2026, me bindjen se investimi në talent është investim në një të ardhme më të sigurt, më inovative dhe më konkurruese për vendin.