Gara për president të FIFA-s mund të marrë një drejtim të papritur, pasi në skenë kanë dalë emra të rinj që mund t’i sfidojnë Gianni Infantinos për drejtimin e institucionit më të rëndësishëm të futbollit botëror.
Mediumi i njohur francez L’Equipe ka raportuar të shtunën se një grua mund të jetë kundërkandidate e Infantinos në zgjedhjet e ardhshme për kreun e FIFA-s, të cilat pritet të mbahen në mars të vitit të ardhshëm në Rabat të Marokut.

Sipas raportimit, UEFA po e shqyrton mundësinë që ta mbështesë Michele Kangun, presidente e klubit francez Olympique Lyonnais dhe një prej figurave më të njohura në futbollin e femrave.
Një përkrahje e tillë do t’i jepte një dimension të ri garës për udhëheqjen e FIFA-s, në një kohë kur pozita e Infantinos mund të vihet përballë një sfide të re politike.
Kang është një emër me ndikim të madh në futbollin e femrave, ndërsa përfshirja e saj e mundshme në garën presidenciale do të përbënte një zhvillim me interes të veçantë për të ardhmen e këtij sporti.
Megjithatë, ajo nuk është e vetmja figurë që mund të përmendet në këtë garë. Një tjetër emër i rëndësishëm është Lise Klaveness, presidente e Federatës së Futbollit të Norvegjisë, e cila gjithashtu shihet si një figurë me peshë në futbollin evropian.
Për momentin, mundësia e kandidimit të këtyre emrave mbetet në fazën e shqyrtimit dhe nuk nënkupton se një kandidaturë zyrtare është konfirmuar.
Zgjedhjet e ardhshme pritet të tërheqin vëmendje të madhe, pasi çdo zhvillim rreth kundërkandidatëve të mundshëm mund të ndikojë në dinamikën e garës për drejtimin e FIFA-s./Telegrafi/





