Ministria këshillon qytetarët si ta kontrollojnë cilësinë e arit para blerjes

Nacionale

Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK) u ka bërë thirrje qytetarëve që, gjatë blerjes së produkteve prej ari dhe argjendi, të kërkojnë nga shitësit garancinë dhe dokumentacionin përkatës, me qëllim të mbrojtjes nga deklarimet e pasakta për pastërtinë dhe përbërjen e metaleve të çmuara. Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), […]

Madhësia e shkronjave

Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK) u ka bërë thirrje qytetarëve që, gjatë blerjes së produkteve prej ari dhe argjendi, të kërkojnë nga shitësit garancinë dhe dokumentacionin përkatës, me qëllim të mbrojtjes nga deklarimet e pasakta për pastërtinë dhe përbërjen e metaleve të çmuara.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), produktet prej metaleve të çmuara duhet t’i nënshtrohen procesit të verifikimit për të konfirmuar nëse përmbushin kërkesat ligjore për pastërtinë dhe përbërjen e deklaruar.

Verifikimi kryhet në laboratorin e AMK-së, ku fillimisht produktet peshohen me peshore të kalibruar dhe kontrollohet dokumentacioni përcjellës, përfshirë dëshmitë e prejardhjes dhe faturat përkatëse.

Më pas, produktet analizohen me pajisje bashkëkohore që përdorin teknologjinë me rreze X për të përcaktuar përbërjen dhe pastërtinë e metalit. Për të siguruar saktësinë e rezultateve, laboratori kryen tri matje të njëpasnjëshme për secilin produkt.

Në këtë laborator verifikohen katër lloje të metaleve të çmuara: ari, argjendi, platini dhe paladiumi. Për produktet e arit, kontrolli përfshin pastërti të ndryshme, përkatësisht 14, 18, 22 dhe 24 karatë.

Pas përfundimit të analizave, në rastet kur konfirmohet se produktet i përmbushin kërkesat teknike, AMK përgatit raportin përkatës dhe i vulos ato si dëshmi se i janë nënshtruar procesit të verifikimit.

Sipas AMK-së, ky proces synon të rrisë sigurinë e konsumatorëve dhe të ndihmojë bizneset në zbatimin e kërkesave ligjore. Paraqitja e produkteve për verifikim është detyrim ligjor për operatorët ekonomikë, ndërsa mosrespektimi i këtyre kërkesave mund të sjellë sanksione sipas legjislacionit në fuqi.

Rëndësia e këtij shërbimi dëshmohet edhe nga numri i kërkesave të pranuara. Vetëm gjatë vitit 2025, laboratori i AMK-së ka pranuar 470 kërkesa për verifikimin e metaleve të çmuara.

Në fund, AMK u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm gjatë blerjes së produkteve prej ari dhe argjendi, duke kërkuar gjithmonë garancinë dhe dokumentacionin përkatës për të siguruar se produktet përmbushin standardet e deklaruara.