Identifikimi i tri viktimave nga varrezat masive në Zubin Potok, Haxhiu: Kërkimi nuk do të ndalet derisa të gjendet edhe personi i fundit i zhdukur

Nacionale

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka reaguar sot pasi është bërë identifikimi i tri viktimave, mbetjet mortore të të cilave u zhvarrosën në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Haxhiu në një postim në Facebook thekson se për 27 vjet, këto familje jetuan pa ditur ku ishin më […]

Madhësia e shkronjave

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka reaguar sot pasi është bërë identifikimi i tri viktimave, mbetjet mortore të të cilave u zhvarrosën në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut.

Haxhiu në një postim në Facebook thekson se për 27 vjet, këto familje jetuan pa ditur ku ishin më të dashurit e tyre.

“Sot ato e dinë. Dhimbja mbetet, por kjo pritje e gjatë mbaroi”, shkruan Haxhiu.

Tri familje morën sot lajmin për familjarët e zhdukur me dhunë që prej vitit 1999.

Analizat e ADN-së konfirmuan identitetin e tri viktimave, mbetjet mortore të të cilave u zhvarrosën në varrezat masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut. Ata ishin pjesë e grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, shqiptarë nga Skenderaj dhe Mitrovica, të rrëmbyer nga forcat serbe më 19 prill 1999.

Për 27 vjet, këto familje jetuan pa ditur ku ishin më të dashurit e tyre. Sot ato e dinë. Dhimbja mbetet, por kjo pritje e gjatë mbaroi.

Jam pranë tyre në këtë ditë. Bashkëndjej edhe me familjet e tjera që presin rezultatet e gërmimeve në javët në vijim.

Kërkimi ynë nuk do të ndalet derisa të gjendet edhe personi i fundit i zhdukur me dhunë dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. /Telegrafi/