I nxehti ekstrem merr mbi 10 mijë jetë në Evropë, alarmojnë ekspertët

Bota

Vendet në Evropë raportuan mbi 10,000 vdekje gjatë valëve ekstreme të të nxehtit që përfshiu perëndimin e kontinentit drejt fundit të qershorit, tregojnë të dhëna të reja. Shumica dërrmuese e vdekjeve, mbi 9,000, u regjistruan midis atyre të moshës 65 vjeç e lart, sipas të dhënave të publikuara nga EuroMOMO, monitoruesi evropian i vdekshmërisë i […]

Madhësia e shkronjave

Vendet në Evropë raportuan mbi 10,000 vdekje gjatë valëve ekstreme të të nxehtit që përfshiu perëndimin e kontinentit drejt fundit të qershorit, tregojnë të dhëna të reja.

Shumica dërrmuese e vdekjeve, mbi 9,000, u regjistruan midis atyre të moshës 65 vjeç e lart, sipas të dhënave të publikuara nga EuroMOMO, monitoruesi evropian i vdekshmërisë i cili mbështetet nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Valët e të nxehtit në Evropë kanë thyer rekorde temperaturash në disa vende dhe kanë shkaktuar mijëra vdekje, sipas vlerësimeve në Belgjikë, Britani, Francë dhe Spanjë.

Valët e të nxehtit të qershorit do të kishin qenë “pothuajse të pamundura” pa ndryshimet klimatike, sipas grupit të shkencëtarëve të World Weather Atribution.

Të paktën 2,700 njerëz vdiqën në Angli dhe Uells si pasojë e valëve të të nxehtit që goditën vendet në maj dhe qershor, sipas një studimi të publikuar.

Ekspertë nga Imperial College London, Met Office dhe London School of Hygiene and Tropical Medicine përdorën të dhëna për motin, modele klimatike dhe studime mbi vdekshmërinë gjatë valëve të të nxehtit për të arritur në vlerësimin e tyre.

Mbretëria e Bashkuar dhe pjesa më e madhe e Evropës përjetuan dy valë të papara të nxehtësisë në maj dhe qershor, me rekorde mujore të vendosura në 35.1°C dhe 37.7°C, përkatësisht, në Angli.

“Ishin valë të nxehta ekstreme për Mbretërinë e Bashkuar dhe për të gjitha pjesët e Evropës Perëndimore, dhe janë veçanërisht të jashtëzakonshme për kohën dhe sa herët gjatë vitit ndodhën”, u citua të thoshte në studim Mark McCarthy, menaxheri shkencor i ekipit të atribuimit të klimës në Met.

Studimi vlerëson se rreth 550 njerëz vdiqën si pasojë e të nxehtit midis 21-29 majit dhe gati 2,200 vdiqën midis 18-28 qershorit në Angli dhe Uells.

Autorët theksojnë rolin e ndryshimeve klimatike, të cilat po i bëjnë valët e të nxehtit më intensive dhe të shpeshta.

Ata vlerësojnë se temperaturat maksimale gjatë ditës ishin 3°C deri në 4°C më të larta se sa do të kishin qenë pa ngrohjen globale. /Telegrafi/