Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital, fizioterapisti Blend Bytyqi foli për dhimbjet më të shpeshta të trupit, me fokus të veçantë edhe te hernia diskale, një diagnozë që shpesh shkakton frikë te pacientët.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse hernia diskale është diagnozë për t’u frikësuar apo një gjendje që mund të menaxhohet, Bytyqi tha se ajo duhet marrë seriozisht, por jo çdo rast nënkupton automatikisht problem të rëndë.
“Hernia diskale është një problem shumë serioz, por jo çdoherë çka tregon rezonanca është ajo se çka ka trupi”, tha ai.
Sipas fizioterapistit, në shumë raste pacientët bazohen vetëm në atë që lexojnë në raportin e rezonancës magnetike, pa pasur një vlerësim të plotë klinik. Ai theksoi se trupi dhe simptomat e pacientit tregojnë shumë më tepër se një rezultat imazherik.

“Në këto raste trupi tregon më shumë se vetëm rezonanca magnetike”, u shpreh Bytyqi.
Ai shtoi se para se të nxirret një përfundim për gjendjen e pacientit, është i nevojshëm një ekzaminim i kujdesshëm neurologjik dhe funksional.
“Te çdo profesionist shëndetësor, duhet bërë ekzaminim neurologjik për me pas saktë”, tha ai.
Bytyqi shpjegoi se jo çdo hernie diskale shkakton domosdoshmërisht dhimbje apo simptoma të dukshme. Sipas tij, shumë raste mund të zbulohen rastësisht, pa qenë shkaku kryesor i dhimbjes së pacientit.
“Shumica e hernieve diskale në fakt janë asimptomatike. Nuk japin simptoma dhe dinë me qenë gjetje incidentale”, theksoi fizioterapisti.
Një nga problemet që ai veçoi është tendenca e pacientëve për të bërë rezonancë magnetike pa rekomandimin e specialistit.
Kjo, sipas tij, shpesh krijon më shumë frikë sesa ndihmon në trajtimin e problemit.
“Kemi si popull një shprehi shumë të keqe, me shku me bë një rezonancë vetë pa udhëzimin e specialistit”, tha Bytyqi.
Ai sqaroi se pas marrjes së rezultatit, pacientët shpesh lexojnë terma mjekësorë që i frikësojnë, edhe kur gjendja nuk është domosdoshmërisht alarmante.
“Pacienti e bën rezonancën, i lexon aty disa fjalë degjenerative, hernia e kjo, dhe ai frikohet shumë se mendon që kjo është fundi i botës”, u shpreh ai.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:





