Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me ish-presidentin Hashim Thaçi, me të cilin ka diskutuar për Kosovën, familjet, miqtë dhe qytetarët që, sipas tij, vazhdojnë të besojnë në rikthimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një postimi, Hamza tha se gjatë bisedës është folur edhe për procesin gjyqësor në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe pritjen për shpalljen e aktgjykimit.

“Drejtësia mund të vonohet, por nuk duhet të tjetërsohet”, ka shkruar Hamza, duke shtuar se beson që më 16 shtator “drejtësia do të vihet në vend” dhe se Thaçi, bashkë me bashkëluftëtarët e tij, do të kthehen të lirë në Kosovë.
Ai bëri të ditur se gjatë bisedës i ka përcjellë Thaçit përshëndetjet dhe mbështetjen e qytetarëve të Kosovës, ndërsa tha se edhe ish-presidenti ka kërkuar që përshëndetjet e tij t’u përcillen të gjithë qytetarëve.
“Me qetësinë dhe besimin që e karakterizon, bisedën e përfunduam me shpresën se shumë shpejt do të shihemi në Kosovë”, ka shkruar Hamza.
Në fund të reagimit të tij, kreu i PDK-së ka përsëritur mesazhin: “Dielli do të lindë përsëri! Për çlirimtarët, për historinë tonë të lavdishme dhe për Kosovën!”. /Telegrafi/





