Katër telefonat kanë dizajn të ri të kamerës, me një xham që shtrihet nga njëra skaj në tjetrin dhe vazhdon në kornizën metalike.
Në këtë mënyrë, Google ka synuar ta harmonizojë më tej dizajnin e telefonave me pjesën tjetër të ekosistemit Pixel.
Një nga risitë kryesore është procesori Tensor G6, i cili sjell performancë 50 për qind më të lartë të TPU-së. Google e lidh drejtpërdrejt këtë me fotografimin më të shpejtë kompjuterik, kohën më të shkurtër për realizimin e fotografive me Night Sight dhe funksionet më të përgjegjshme të inteligjencës artificiale që funksionojnë drejtpërdrejt në telefon.
Gjithashtu, telefonat kanë procesorin e ri të sigurisë Titan M3, i cili përdor kriptografinë post-kuantike dhe përmbush standardet e certifikimit që përdoren për kartat SIM dhe ato bankare.

Të gjitha modelet tani kanë ekrane më të ndritshme. Pixel 11 ka panelin Actua me ndriçim maksimal prej 3.000 nitësh, ndërsa Pixel 11 Pro dhe Pro XL kanë ekrane Super Actua me ndriçim deri në 3.600 nitë. Google thotë se këto ekrane janë 9 për qind më të ndritshme dhe më shumë se dy herë më rezistente ndaj gërvishtjeve krahasuar me gjeneratën e mëparshme. Ekrani i brendshëm i Pixel 11 Pro Fold është gjithashtu 20 për qind më i ndritshëm se ai i paraardhësit.
Google ka rritur edhe kapacitetin bazë të memories. Të gjithë telefonat e serisë tani nisin me 256 GB hapësirë, ndërsa modelet bazë të vitit të kaluar ofroheshin edhe me 128 GB. Për të gjitha pajisjet premtohen shtatë vjet përditësime të sistemit operativ, të sigurisë dhe Pixel Drop.
Një pjesë e madhe e vëmendjes i është kushtuar funksioneve të Gemini AI. Gemini Intelligence mund të shfaqë në mënyrë proaktive informacione nga aplikacionet e përdoruesit, të hartojë dhe organizojë mesazhe, ndërsa në SHBA mund të kryejë edhe detyra të caktuara të përditshme, si porositja e ushqimeve apo rezervimi i transportit.
Funksioni i ri Magic Capture mundëson që me një veprim të vetëm të realizoni njëkohësisht një fotografi dhe një video të gatshme për t’u shpërndarë, ndërsa Camera Looks sjell stile kinematografike të personalizueshme për fotografitë.
Modeli bazë Pixel 11 ka ekran Actua 6,3-inç me rezolucion 1080 x 2424 pikselë, frekuencë rifreskimi nga 60 deri në 120 Hz dhe ndriçim maksimal prej 3.000 nitësh. Telefoni mundësohet nga procesori Tensor G6 me çipin Titan M3, ka 12 GB RAM dhe 256 ose 512 GB hapësirë të brendshme.
Bateria me kapacitet prej 4.985 mAh duhet të sigurojë më shumë se 30 orë përdorim, ndërsa për 30 minuta karikim mund të arrijë deri në 55 për qind të kapacitetit.
Në pjesën e pasme ndodhen kamera kryesore 48 MP, kamera ultra e gjerë 13 MP dhe kamera telefoto 10,8 MP me zmadhim optik 5x. Super Zoom shkon deri në 30x, ndërsa kamera e përparme ka 10,5 MP.
Pixel 11 do të jetë i disponueshëm në ngjyrat Frost, Pistachio, Hibiscus dhe Obsidian.
Pixel 11 Pro ka ekran LTPO OLED Super Actua 6,3-inç me rezolucion 1280 x 2856 pikselë, rifreskim të ndryshueshëm nga 1 deri në 120 Hz dhe ndriçim maksimal prej 3.600 nitësh.
Telefoni ofrohet me 12 ose 16 GB RAM dhe 256 GB, 512 GB ose 1 TB hapësirë ruajtëse. Bateria prej 4.850 mAh siguron më shumë se 30 orë përdorim, ndërsa për 30 minuta karikim mund të arrijë deri në 55 për qind.
Kamera kryesore ka 50 MP, ultra e gjera 48 MP, ndërsa kamera telefoto 48 MP ofron zmadhim optik 5x. Pro Zoom shkon deri në 120x, ndërsa telefoni mbështet edhe regjistrimin e videove 8K me Video Boost. Kamera e përparme ka 42 MP.
Pixel 11 Pro vjen në ngjyrat Canyon, Olive, Fog dhe Matte Obsidian.
Pixel 11 Pro XL është praktikisht versioni më i madh i modelit Pro. Ka ekran Super Actua LTPO OLED 6,8-inç me rezolucion 1344 x 2992 pikselë, rifreskim nga 1 deri në 120 Hz dhe ndriçim maksimal prej 3.600 nitësh.
Pajisja ka 12 ose 16 GB RAM dhe deri në 1 TB hapësirë të brendshme. Bateria prej 5.115 mAh mundëson më shumë se 30 orë përdorim, ndërsa mbështet karikimin deri në 75 për qind për 30 minuta, me karikues 45 W.
Sistemi i kamerave është i njëjtë me atë të modelit Pro: kamera kryesore 50 MP, ultra e gjerë 48 MP dhe telefoto 48 MP me zmadhim optik 5x. Gjithashtu janë të pranishme Pro Zoom 120x, video 8K me Video Boost dhe kamera e përparme 42 MP.
Ngjyrat e disponueshme janë Canyon, Olive, Fog dhe Matte Obsidian.
Pixel 11 Pro Fold është modeli më i shtrenjtë dhe i vetmi telefon i palosshëm në serinë e re. Ka ekran të jashtëm Super Actua 6,5-inç dhe ekran të brendshëm Super Actua Flex 8-inç, ku të dy ofrojnë ndriçim maksimal deri në 3.600 nitë.
Telefoni ka 16 GB RAM dhe 256 GB, 512 GB ose 1 TB hapësirë, në varësi të tregut. Tensor G6 dhe Titan M3 janë pjesë standarde e pajisjes, ndërsa bateria prej 4.806 mAh siguron më shumë se 24 orë përdorim. Për 30 minuta karikim mund të arrijë deri në 50 për qind.
Sistemi i kamerave përbëhet nga kamera kryesore 48 MP, ultra e gjerë 10,5 MP dhe telefoto 10,8 MP me zmadhim 5x. Super Zoom shkon deri në 30x. Ka gjithashtu kamera të përparme dhe të brendshme nga 10 MP, si dhe funksionet Dual Screen Preview dhe Rear Camera Selfie, të krijuara posaçërisht për formatin e palosshëm.
Pixel 11 Pro Fold vjen në ngjyrat Olive dhe Obsidian, ndërsa versioni Obsidian është i disponueshëm vetëm në Malajzi dhe Singapor.
Google ka prezantuar edhe Pixel Watch 5, i cili sjell një numër të madh funksionesh të reja për monitorimin e shëndetit dhe aktivitetit fizik.
Ora mund të monitorojë modelet e presionit të gjakut dhe tendencat e rezistencës ndaj insulinës, krahas funksioneve ekzistuese për zbulimin e fibrilacionit atrial, monitorimin e stresit, SpO2 dhe ritmit të frymëmarrjes. Të dhënat janë të disponueshme përmes aplikacionit Google Health.
Për stërvitjet janë shtuar Readiness Score para ushtrimeve, mundësia për krijimin e programeve të personalizuara të stërvitjes së forcës dhe HIIT, si dhe udhëzime audio dhe vizuale në kohë reale. Ora ka edhe GPS të dyfishtë për pozicionim më të saktë në zonat urbane të dendura.
Monitorimi i gjumit merr funksionin e ri Sleep Breathing Quality, i cili analizon ndryshimet në nivelin e oksigjenit në gjak gjatë natës. Gjithashtu janë të pranishme monitorimi i fazave të gjumit, Smart Wake Alarms dhe Morning Brief, i cili bashkon të dhënat për gatishmërinë e organizmit, gjumin dhe motin.
Google ka prezantuar edhe Health Coach, një funksion i inteligjencës artificiale i bazuar në Gemini, i cili krijon plane të personalizuara stërvitjeje dhe ofron sugjerime bazuar në të dhënat për gjumin, aktivitetin fizik dhe ciklin shëndetësor. Funksioni është i disponueshëm përmes Google Health Premium, ndërsa blerësit përfitojnë tre muaj përdorim falas.
Pixel Watch 5 përdor procesorin Qualcomm Snapdragon W5 Gen 2 “Accelerated”, për të cilin Google thotë se është 20 për qind më i shpejtë se gjenerata e mëparshme. Ora ka ekran Actua 360 me xham Gorilla Glass rezistent ndaj gërvishtjeve dhe autonomi deri në 30 orë për versionin 41 mm, respektivisht deri në 40 orë për modelin 45 mm.
Doku i ri Quick Charge Dock mundëson deri në 15 orë përdorim pas vetëm 15 minutash karikim.
Google ka konfirmuar gjithashtu një edicion të veçantë të orës, të krijuar në bashkëpunim me basketbollistin Stephen Curry, i cili vjen me një rrip ekskluziv dhe pamje të personalizuar të fushës së orës. /Telegrafi/





