Më 2 dhe 3 korrik 2026, në Kampin Vrella do të mbahet ushtrimi i përbashkët “Golden Sabre 2026”, ku do të marrin pjesë pjesëtarë të KFOR-it, EULEX-it, Policisë së Kosovës dhe Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME).
Në këtë ushtrim do të përfshihet edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatin e saj fillestar në fushën e mbrojtjes civile.

Sipas njoftimit, ushtrimi do të përfshijë dislokimin e një numri të madh personeli, automjetesh dhe pajisjesh në zonën e ushtrimit dhe në rrugët përreth saj.
Qëllimi i tij është testimi i aftësive dhe procedurave të menaxhimit të krizave në skenarë të ndryshëm kompleksë të sigurisë, përfshirë edhe trajtimin dhe asgjësimin e sigurt të mjeteve shpërthyese dhe materialeve të rrezikshme.
Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Ozkan Ulutaş, theksoi se ky ushtrim përfaqëson angazhimin e vazhdueshëm për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit mes institucioneve të sigurisë, në dobi të të gjithë qytetarëve në Kosovë.
KFOR bëri të ditur se vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar në krijimin e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe duke garantuar lirinë e lëvizjes, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in në rolet e tyre përkatëse. /Telegrafi/





