Norvegjia e nisi në mënyrë perfekte rikthimin e saj në Kupën e Botës pas 28 vitesh mungesë, duke mposhtur Irakun me rezultat bindës 4-1 në ndeshjen e parë të fazës së grupeve.
Protagonisti kryesor ishte Erling Haaland, i cili realizoi dy gola në pjesën e parë dhe shënoi golin e parë të norvegjezëve në një Botëror që nga viti 1998.
Megjithatë, jo vetëm paraqitja e sulmuesit të Manchester Cityt tërhoqi vëmendjen. Festimi i tifozëve pas golave të tij shkaktoi dridhje të tokës që u regjistruan nga stacionet sizmologjike në Norvegji.
Festimi i tifozëve u regjistrua nga sizmografët
Instituti norvegjez NORSAR bëri të ditur se gjatë ndeshjes në Bergen janë regjistruar sinjale sizmike të pazakonta, të cilat përkuan me momentet kur Haaland tundte rrjetën e Irakut.
“Të mërkurën në mbrëmje, stacioni sizmologjik në Bergen regjistroi sinjale të qarta pranë stacionit gjatë ndeshjes së Kupës së Botës mes Norvegjisë dhe Irakut. Lëkundjet më të mëdha përkuan me golat e Erling Braut Haaland, të cilat shkaktuan festime të fuqishme nga tifozët norvegjezë”, thuhet në deklaratën e NORSAR.
Ekspertët sqaruan se nuk bëhej fjalë për një tërmet të vërtetë, por për dridhje të shkaktuara nga mijëra tifozë që kërcenin dhe festonin njëkohësisht, të cilat u kapën nga pajisjet e ndjeshme të monitorimit.
“Efektet më të qarta u regjistruan gjatë golave të Norvegjisë, veçanërisht dy golave të Haaland. Sinjalet ka shumë gjasa të jenë rezultat i brohoritjeve dhe lëvizjeve të tifozëve që ndoqën ndeshjen në Bergen”, shtoi instituti.
Haaland konfirmon statusin e favoritit për “Këpucën e Artë”
Me dy golat ndaj Irakut, Haaland vazhdoi formën e jashtëzakonshme që tregoi gjatë kualifikueseve, ku realizoi 16 gola.
Sulmuesi 25-vjeçar konsiderohet një nga kandidatët kryesorë për “Këpucën e Artë” të Kupës së Botës 2026.
Norvegjia aktualisht kryeson grupin e saj dhe paraqitja ndaj Irakut ka rritur optimizmin se skandinavët mund të jenë një nga surprizat më të mëdha të këtij Botërori.
Me Haaland në formë të shkëlqyer, norvegjezët shpresojnë të vazhdojnë rrugëtimin e suksesshëm edhe përballë kundërshtarëve më të fortë në ndeshjet e ardhshme. /Telegrafi/






