Manuel Angel dhe David Jimenez vazhdojnë të stërviten me seriozitet në ambientet e “La Fabrica”, edhe pse tashmë e dinë se e ardhmja e tyre nuk do të jetë te Real Madridi.
Të dy lojtarët janë në pritje të ofertës së duhur, ndërsa interesimi për ta nuk mungon. Klube nga La Liga, La Liga 2 dhe liga të tjera evropiane kanë shfaqur interes për dy talentet madrilenë.
Sipas të përditshmes spanjolle AS, Real Madridi i ka lënë jashtë ndeshjeve miqësore dhe zyrtare të Castillas, si masë paraprake për të shmangur ndonjë dëmtim që do të mund të komplikonte transferimin e tyre.

Manuel Angel ishte shumë pranë largimit edhe verën e kaluar. Për të kishte interesim të madh, veçanërisht nga Levante, ndërsa edhe Aston Villa kishte tentuar ta transferonte. Megjithatë, mesfushori zgjodhi të qëndronte edhe një sezon në Madrid.
Ai mbajti shiritin e kapitenit sezonin e kaluar dhe, nën drejtimin e Alvaro Arbeloas e më pas Lopez De Lermës, arriti të afrohej edhe më shumë me ekipin e parë. Në fund të sezonit regjistroi shtatë paraqitje dhe 129 minuta me ekipin senior, duke dëshmuar se është gati për një nivel më të lartë.
Në të njëjtën situatë ndodhet edhe David Jimenez, bashkëlojtar i tij në atë gjeneratë të artë. Mbrojtësi i krahut të djathtë ishte një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës, duke iu afruar shifrës së 20 asistimeve në një sezon të jashtëzakonshëm.
Në Valdebebas e konsiderojnë si një prej lojtarëve më teknikë të akademisë, ndërsa shpesh përshkruhet si “krahu i djathtë i Arbeloas” në fushë. Jimenez spikat për aftësitë ofensive, ekzekutimet e goditjeve standarde dhe qetësinë me topin, ngjashëm me një mesfushor.
Largimi i dy lojtarëve do ta çojë Real Madridin përtej shifrës së 200 milionë eurove të ardhura nga shitjet e produkteve të akademisë. Vetëm marrëveshja për Jacobo Ortegan, prej 10 milionë eurosh, e ka çuar totalin në mbi 199 milionë euro.
Disa drejtues në Valdebebas kishin paralajmëruar më herët për një “verë historike”, dhe tashmë kjo po bëhet realitet. Real Madridi, në shumë prej këtyre marrëveshjeve, ka ruajtur edhe një përqindje të të drejtave mbi shitjet e ardhshme të lojtarëve.
Ndër lojtarët e shitur janë Nico Paz (60 milionë), Gonzalo (40 milionë), Víctor Munoz (20.5 milionë ), Gila (15 milionë ), Alvaro Rodriguez (12.5 milionë ), Alex Jimenez (12.5 milionë ), Palacios (10 milionë ), Jacobo Ortega (10 milionë ), Fran Garcia (4 milionë ), Mario Martin (3 milionë ) dhe Fran Gonzalez (3 milionë)./Telegrafi/





