Një projekt rinovimi në një shtëpi në Nova Scotia të Kanadasë ka çuar në një zbulim të pazakontë: një kuletë që pronari e kishte humbur 51 vjet më parë.
Marangozi Matty Goldsmith ishte duke punuar së bashku me ekipin e tij në një shtëpi në Victoria Road, në Dartmouth, kur gjeti kuletën poshtë dyshemesë.

Brenda saj ndodheshin patenta e shoferit, karta e studentit të Dartmouth High School dhe një certifikatë lindjeje e shkruar me dorë. Në kuletë kishte gjithashtu një kartëmonedhë prej një dollari dhe një biletë për një shfaqje teatrale të veprës Hamlet, të zhvilluar në vitin 1975.
Goldsmith publikoi fotografi dhe informacione për kuletën në rrjetet sociale, në përpjekje për të gjetur pronarin e saj. Postimi tërhoqi vëmendjen e Donna Gilroy, e cila i njohu menjëherë sendet si ato të bashkëshortit të saj, Richard Gilroy.
Kuleta iu kthye Gilroyt, i cili tani është 68 vjeç, vetëm tri ditë pasi u gjet, transmeton Telegrafi.
Gilroy tha se e kujton se e kishte humbur kuletën në atë shtëpi rreth 51 vjet më parë, megjithëse disa prej sendeve që ndodheshin brenda saj e befasuan.
Ai tha se nuk e kujton të ketë marrë pjesë në shfaqjen e Hamlet në vitin 1975, por një detaj i biletës i bëri përshtypje: çmimi i saj ishte vetëm 1.50 dollarë.
Pas më shumë se pesë dekadash nën dyshemenë e shtëpisë, kuleta dhe përmbajtja e saj u rikthyen te pronari, duke i dhënë fund një historie të pazakontë të nisur në vitin 1975. /Telegrafi/





