Ish-presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, bartës i listës “Serbia e Bashkuar”, publikoi një video në Facebook dhe Instagram, në të cilën zhvillon një “debat” me një karrige të zbrazët.
Në karrige është vendosur fotografia e Ilija Srdanoviqit, kandidatit të parë të listës zgjedhore “Studentët fitojnë”, si dhe një gur.

Në pronën e familjes së tij në Jajinci, Vuçiq vendosi të zhvillojë një debat. Meqë askush nuk iu përgjigj, ai krijoi një bashkëbisedues imagjinar. Përballë tij vendosi një karrige me fotografinë e Srdanoviqit dhe një gur, duke e kthyer situatën në një “duel” me gurin.
Ideja e të folurit me një karrige të zbrazët nuk është e re. Një shembull i njohur është aktori Clint Eastwood, i cili në vitin 2012, gjatë konventës së Partisë Republikane në SHBA, iu drejtua një karrigeje të zbrazët sikur në të të ishte ulur presidenti i atëhershëm Barack Obama.
Edhe përdorimi i gurit në politikën serbe nuk është i panjohur. Në vitin 2017, deputeti i atëhershëm i Dveri-t, Boshko Obradoviq, mbajti një gur në dorë gjatë një fjalimi në Kuvendin e Serbisë, duke thënë se ai ishte gur nga Kosova. Kryetarja e Kuvendit, Maja Gojkoviq, kërkoi që guri të largohej nga salla.
Sipas revistës “Vreme”, Vuçiqi nuk tregoi se nga vinte guri dhe as cili ishte qëllimi i “duelit” imagjinar.
Megjithatë, gjatë fjalimit të tij ai iu drejtua Srdanoviqit, edhe pse në vend të kundërshtarit të tij trajtoi deklarata të bëra nga politikani Nenad Çanak.
Revista e interpreton videon si një tregues se Vuçiqi dhe Partia Përparimtare Serbe e kanë të vështirë të zhvillojnë debate të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e listës së studentëve, ndaj kundërshtarët e tyre shfaqen vetëm në formë imagjinare. /Telegrafi/





