Pas premierës, trilleri fantastiko-shkencor “Shtëpia e Fundit” me regji nga Louis Leterrier u ngjit shpejt në krye të listës globale të Netflix-it për filmat më të shikuar. Ky mister ka tërhequr miliona shikues në të gjithë botën.
Historia ndjek familjen Delgado me katër anëtarë – babain Jason (Wagner Moura), nënën Ann (Greta Lee) dhe dy fëmijët e tyre. Gjatë një stuhie të çuditshme në periferi të Seattle-it, familja zbulon se të gjitha bravat, dritaret dhe dyert e shtëpisë së tyre janë bllokuar në mënyrë të pashpjegueshme, duke e bërë të pamundur daljen jashtë. Brendësia bëhet bota e tyre e tërë, ndërsa telefoni dhe interneti ndalojnë së funksionuari.
Ndërsa ditët shndërrohen në muaj, furnizimet me ujë dhe ushqim mbarojnë. Familja detyrohet ta transformojë shtëpinë në një strehë të improvizuar: ata kultivojnë perime në dhomë, gjejnë mënyra të zgjuara për të mbledhur ujë dhe për t’u përshtatur me kushtet e vështira. Megjithatë, rreziku i vërtetë vjen kur ata kuptojnë se jashtë fshihen krijesa të panjohura dhe të rrezikshme, veçanërisht gjatë shiut.

Edhe pse filmi arriti një shikueshmëri masive, kritikët kanë mendime të ndara. Interpretimet e Greta Lee dhe Wagner Moura shpesh veçohen si pjesa më e mirë e filmit.
Një kritik i ScreenRant pohon: “Lee dhe Moura bëjnë çmos për të gjetur çdo të vërtetë emocionale që mund ta kapin në rolet e tyre, por personazhet janë shkruar në mënyrë të ngathët. Regjia e Louis Leterrier ka një ritëm të nxituar që vret çdo interes për pamjen e përgjithshme. Filmi është një rrëmujë me shumë pak cilësi të mira”.
Një numër i madh recensentësh besojnë se filmi e shterron shpejt idenë e mirë fillestare dhe nuk ofron asgjë të re në zhanër.
Sam Adams deklaroi për Slate: “Skenari herë pas here kujton të përballet me anën më të errët të asaj që një familje do të bënte për të mbijetuar kur mbarojnë burimet, por menjëherë tërhiqet me frikë në një terren më të sigurt dhe më të njohur”.
Megjithatë, pavarësisht mangësive, The Guardian thotë se filmi nuk është aq i mirë sa të shfaqet në kinema, por është mjaft i mirë për një shikim të rastësishëm në platformën streaming gjatë fundjavës.
Konsensusi kritik mbi Rotten Tomatoes është se “The Last House” është një tjetër film në serinë e përpjekjeve “Bird Box” të Netflix – një film që ka një ide fillestare fantastike dhe intriguese, por në fund vuan nga boshllëqe në skenar, klishe të parashikueshme fantastiko-shkencore dhe një pjesë të dytë dukshëm më të dobët. Pavarësisht kësaj, kritikat negative nuk i ndaluan shikuesit ta nxirrnin atë në vendin e parë në vlerësime. /Telegrafi/





