Ermal Krasniqi beson se Kosova ka cilësinë për ta mposhtur Austrinë në ndeshjen që zhvillohet sonte nga ora 18:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke synuar më pas edhe vendin e parë në Grupin B3 të Ligës së Kombeve.
Sulmuesi i Kosovës e ka vlerësuar përballjen me Austrinë si një prej ndeshjeve më të rëndësishme të këtij edicioni, ndërsa ka thënë se skuadra është përgatitur maksimalisht për këtë takim.
“Lirisht mund të luftojmë për vendin e parë. E kemi përgatitur në maksimum ndeshjen dhe besoj se nuk do t’i përsërisim gabimet që i bëmë në ndeshjen e parë me Austrinë. Shpresoj se do t’i qasemi më mirë dhe të arrijmë rezultat pozitiv”.
Ai për “Klan Kosova” theksoi se një prej pikave kryesore ku Kosova duhet të përmirësohet është faza defensive, në mënyrë që të shmangen gabimet e bëra në ndeshjet e kaluara.
“Gabimet që i bëmë në ndeshjet e kaluara duhet t’i përmirësojmë. Kemi kualitet dhe mund ta fitojmë edhe këtë ndeshje. Luajmë në stadiumin tonë, para tifozëve tanë dhe me përkrahjen e tyre mund të fitojmë”.
Krasniqi ka pranuar se Austria në fillim të garës ishte konsideruar favorite për kreun e grupit, por beson se Kosova mund ta ndryshojë këtë situatë me një fitore në “Fadil Vokrri”.
“Në fillim të gjithë e kemi thënë se Austria është favorite. Unë besoj te ekipi ynë, sepse kemi kualitet të lartë në grupin tonë. Besoj se mund ta arrijmë edhe vendin e parë”, përfundoi Krasniqi./Telegrafi/






